DASH reagon ndaj deklaratave të ministres serbe për Kosovën: Udhëheqësit duhet të përdorin gjuhë konstruktive

Deklarata skandaloze e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, për spastrim etnik në Kosovë, ka nxitur reagime gjithandej. Për rastin ka reaguar edhe ShBA-ja, ku një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë se prioritet i tyre në Ballkanin Perëndimor është paqja dhe se në kuadër të kësaj, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi është i domosdoshëm. Tutje, në…

Lajme

17/07/2026 18:54

Deklarata skandaloze e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, për spastrim etnik në Kosovë, ka nxitur reagime gjithandej.

Për rastin ka reaguar edhe ShBA-ja, ku një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë se prioritet i tyre në Ballkanin Perëndimor është paqja dhe se në kuadër të kësaj, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi është i domosdoshëm.

Tutje, në këtë përgjigje, Uashtingtoni zyrtar thotë se inkurajon udhëheqësit politik që të përdorin gjuhë që i ndihmon këtij synimi.

“Prioriteti i ShBA-së në Ballkanin Perëndimor është paqja dhe stabiliteti. Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është një pjesë e domosdoshme e kësaj. Ne i inkurajojmë udhëheqësit politikë të përdorin gjuhë konstruktive për të çuar përpara këtë qëllim me mirëbesim”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Klanin

Për rastin ka reaguar edhe Britania e Madhe, e cila deklaratat e Paunoviqit i ka konsideruar “të neveritshme”.

“Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat e saj për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë plotësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, është në reagimin e MPJ-së britanike, përmes Ambasadës së saj në Prishtinë.

Reagime ka pasur edhe nga Marta Kos, komisionerja për Zgjerim e BE-së, e cila ka thënë se pret që pas një deklarate të tillë “të tmerrshme”, Paunoviq të mos jetë më në detyrë.