Policia jep detaje për vdekjen e 25-vjeçarit në Prizren, një i dyshuar ndalohet për 48 orë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vdekjen e një 25-vjeçari në një vendpunishte ndërtimi në Prizren, ngjarje që ndodhi mëngjesin e sotëm. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për lajmi.net detaje të reja lidhur me vdekjen tragjike të një 25-vjeçari në një vendpunishte ndërtimi në Prizren. Sipas…

Lajme

22/06/2026 17:36

Policia e Kosovës ka dhënë detaje zyrtare lidhur me vdekjen e një 25-vjeçari në një vendpunishte ndërtimi në Prizren, ngjarje që ndodhi mëngjesin e sotëm.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për lajmi.net detaje të reja lidhur me vdekjen tragjike të një 25-vjeçari në një vendpunishte ndërtimi në Prizren.

Sipas Bytyqit, sot rreth orës 09:00, Policia ka pranuar informatën se në ambulancën e lagjes Arbana në Prizren është dërguar pa shenja jete një person mashkull, rreth 25-vjeçar.

“Njësitë policore kanë dalë menjëherë në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes. Sipas informatave fillestare të siguruara nga dëshmitarët, dyshohet se viktima, derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi, gjatë procesit të betonimit është goditur nga një pjesë e pajisjes së punës, me ç’rast ka pësuar lëndime fatale dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Bytyqi.

Ai bëri të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar prokurori kujdestar dhe Inspektorati i Punës, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar si dhe Inspektorati i Punës. Në koordinim me ta, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë ai.

Bytyqi konfirmoi gjithashtu se me vendim të prokurorit është ndaluar një person i dyshuar.

“Deri më tani, me aktvendim të prokurorit, një i dyshuar ndalohet në ndalim policor për 48 orë”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit. /Lajmi.net/