Konjufca nis strategjinë për apelin në Hagë: Shteti do të jetë pranë ish-krerëve të UÇK-së
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kryesuar mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë. Përmes një njoftimi, Konjufca ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse…
Lajme
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kryesuar mbledhjen konstituive të Grupit Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Përmes një njoftimi, Konjufca ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes janë diskutuar drejtimet kryesore të strategjisë, janë caktuar grupet përgjegjëse për hartimin e saj dhe është përcaktuar plani i përgjithshëm i punës.
“Angazhimi ynë është që krerët e luftës sonë çlirimtare ta kenë mbështetjen e plotë të shtetit të Kosovës në betejën e tyre në apel”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka theksuar se, krahas mbështetjes për procesin e apelit, institucionet do të angazhohen për mbrojtjen e së vërtetës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Krahas kësaj mbështetjeje, do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën e luftës sonë çlirimtare në arenën ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë çdo përpjekje për shtrembërimin e saj”, ka thënë ai.
Konjufca ka bërë thirrje për unitet të institucioneve dhe forcave politike në këtë proces, duke vlerësuar se lufta e UÇK-së qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit të Kosovës.
“Në këtë betejë, të gjitha institucionet e Republikës dhe forcat politike kanë përgjegjësi dhe do të qëndrojnë të bashkuara, me përkushtimin dhe vendosmërinë që kërkon mbrojtja e një të drejte historike të popullit tonë”, ka përfunduar Konjufca. /Lajmi.net/