Brenda dy ditëve, 90 mijë nga 105 mijë votuesit me postë nga diaspora pranuan pakon me fletëvotim – KQZ u tregon procedurën e votimit

Brenda tri ditëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur që t’ua dërgojë pakon me fletëvotim mbi 85% të votuesve të regjistruar përmes postës. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pasi sipas tij, nga rreth 105 mijë votuesit e regjistruar deri më tani mbi 90 mijë kanë pranuar në…

Lajme

23/05/2026 18:25

Brenda tri ditëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur që t’ua dërgojë pakon me fletëvotim mbi 85% të votuesve të regjistruar përmes postës.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pasi sipas tij, nga rreth 105 mijë votuesit e regjistruar deri më tani mbi 90 mijë kanë pranuar në adresë të tyre pakon me fletëvotim dhe materialet tjera përcjellëse.

Procesi i votimit me postë ka filluar më 21 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor.

“Më 21 maj ka filluar procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit që janë regjistruar për të votuar përmes postës. Para fillimit të këtij procesi, KQZ, përmes operatorit ekonomik, ka dërguar jashtë Kosovës rreth 105 mijë pako individuale për secilin votues të regjistruar për të votuar përmes postës. Në bazë të të dhënave, vetëm gjatë tri ditëve ( 21 – 23 maj), KQZ ka arritur të shpërndajë mbi 90 mijë pako individuale, të cilat përmbajnë edhe fletëvotimin”, ka thënë Elezi për Express.

Secila pako që u dërgohet votuesve të regjistruar përmban: 1. Udhëzuesin për votim; 2. Fletëvotimin; 3. Zarfin e fshehtësisë; dhe 4. Zarfin kthyes.

Sipas udhëzimeve të KQZ-së, secili votues, pasi të pranojë pakon me fletëvotim, udhëzohet që të ndjekë hapat për votim si në vijim:

• Plotësoni fletëvotimin;

• fletëvotimin e plotësuar vendoseni në zarfin e fshehtësisë;

• zarfin e fshehtësisë me fletëvotimin brenda dhe dëftesën e regjistrimit vendoseni në zarfin kthyes;

• mbi zarfin kthyes, shënoni adresën e kutisë postare;

• vendoseni pullën postare (nëse aplikohet në shtetin ku jetoni) dhe dërgojeni zarfin në postë;

KQZ ka ftuar votuesit për vëmendje që zarfi duhet të arrijë në kutinë postare të vendit përkatës më së largu deri më 6 qershor 2026.

Sipas KQZ-së, numri i votuesve të regjistruar për votim jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike.

Sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,092,174 votues. Kjo listë përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuved të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike.