Trump paralajmëron Iranin: Ose me një marrëveshje të mirë, ose vendimin për të ju shkatërruar plotësisht
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij ndodhet përballë një momenti vendimtar në raport me Iranin, teksa pritet të shqyrtohet propozimi më i fundit i Teheranit lidhur me tensionet mes dy vendeve. Në një intervistë telefonike për Axios, Trump bëri të ditur se gjatë ditës do të zhvillojë një takim me ekipin…
Bota
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij ndodhet përballë një momenti vendimtar në raport me Iranin, teksa pritet të shqyrtohet propozimi më i fundit i Teheranit lidhur me tensionet mes dy vendeve.
Në një intervistë telefonike për Axios, Trump bëri të ditur se gjatë ditës do të zhvillojë një takim me ekipin e tij më të afërt të sigurisë dhe diplomacisë, ku do të diskutohet përgjigjja iraniane dhe mundësia e hapave të ardhshëm amerikanë, transmeton lajmi.net.
Ai tha se vendimi për rifillimin e mundshëm të veprimeve ushtarake mund të merret deri të dielën, ndërsa theksoi se shanset për arritjen e një marrëveshjeje mbeten të balancuara.
“Janë 50 me 50 gjasat”, deklaroi Trump, duke shtuar se situata mund të përfundojë “ose me një marrëveshje të mirë, ose me vendimin për ta shkatërruar plotësisht Iranin”.
Sipas mediave amerikane, në takimin e rëndësishëm pritet të marrin pjesë i dërguari special Steve Witkoff, këshilltari Jared Kushner dhe zëvendëspresidenti JD Vance.
Deklaratat e Trumpit vijnë në një kohë kur ka sinjale për afrimin e palëve drejt një marrëveshjeje kornizë, pas ndërmjetësimeve diplomatike të Katarit dhe Pakistanit në Teheran.
Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, la të kuptohet se zhvillime të rëndësishme mund të ndodhin brenda ditës.
“Mund të ketë lajme më vonë sot. Nuk kam asgjë konkrete për momentin, por shpresoj që të ketë zhvillime”, u tha Rubio gazetarëve në Nju Delhi.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë mbetur të larta muajt e fundit, ndërsa administrata amerikane po lë të hapur si opsionin diplomatik, ashtu edhe atë ushtarak./lajmi.net/