“Arsyet kanë qenë banale” – Osmani thotë se VV kërkoi një president që nuk merret me politikën e jashtme

Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj mungesës së përkrahjes nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, duke e cilësuar si “lojë pas shpine” mënyrën se si janë zhvilluar ngjarjet. Osmani tha se kishte pasur diskutime për një rrugëtim të përbashkët politik, por vendimi i VV-së për të mbështetur kandidatë…

Lajme

14/05/2026 21:15

Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj mungesës së përkrahjes nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, duke e cilësuar si “lojë pas shpine” mënyrën se si janë zhvilluar ngjarjet.

Osmani tha se kishte pasur diskutime për një rrugëtim të përbashkët politik, por vendimi i VV-së për të mbështetur kandidatë të tjerë e ka lënë atë jashtë procesit.

“Absolutisht, në dhjetor dhe para dhjetorit ka pasur diskutime rreth një rrugëtimi të përbashkët edhe për 10-15 vjetët e ardhshëm. Kur unë kam thënë para qytetarëve të Republikës së Kosovës se synoj edhe një mandat për të vazhduar punët e mira si presidente që kanë qenë në interes të Kosovës, ai nuk ka qenë thjesht një supozim por ka qenë i bazuar në një përkrahje të premtuar, po natyrisht që për mua është krejt në rregull, meqenëse kanë vendosur ndryshe, kanë vendosur që ta ndajnë rrugëtimin, kanë vendosur që të përkrahin kandidatë të tjerë”, tha Osmani.

Sipas saj, ajo që nuk ishte në rregull ishte mënyra se si Vetëvendosje ka komunikuar me deputetët e opozitës, duke synuar kuorumin për kandidatë të tjerë, ndërkohë që ajo kishte kërkuar mbështetjen për vete.

“Pra nuk ka pasur fare nevojë që të luhet një lojë e tillë pas shpine. [Ka qenë lojë pas shpine] absolutisht. Më korrekte do të ishte të thuhej që nuk e ke përkrahjen tonë, faleminderit për bashkëpunimin e deritanishëm”, shtoi ajo në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, transmeton lajmi.net.

Osmani tha se në takimin me VV-në është informuar për mungesën e përkrahjes, ndërsa arsyet që i janë dhënë i konsideroi banale, përfshirë pyetjen pse kishte kërkuar “parakalimin e FSK-së më 17 shkurt”.

“Ta them sinqerisht, arsyet kanë qenë shumë banale. Ta them, gjëra sikur ‘na duhet një president që nuk merret me politikë të jashtme’, por ju e dini që kjo është detyrë kushtetuese e presidentit të Republikës”, përfundoi Osmani./lajmi.net/