Dyshohet për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, evakuohet zona
Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes është raportuar mëngjesin e së martës në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për qytetin e Prishtinës, Enis Pllana, konfirmoi për lajmi.net se rreth orës 08:00 policia ka pranuar informacionin për një mjet të dyshuar shpërthyes në këtë lokacion. Sipas tij, menjëherë pas…
Lajme
Një alarm për një mjet të dyshuar shpërthyes është raportuar mëngjesin e së martës në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për qytetin e Prishtinës, Enis Pllana, konfirmoi për lajmi.net se rreth orës 08:00 policia ka pranuar informacionin për një mjet të dyshuar shpërthyes në këtë lokacion.
Sipas tij, menjëherë pas marrjes së njoftimit, policia ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, duke evakuuar qytetarët nga perimetri përreth stacionit.
“Rreth orës 08:00, kemi pranuar një informatë për mjet shpërthyes në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës.”, tha Pllana.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente të Policisë së Kosovës, të cilat janë duke kryer kontrollet dhe verifikimet e nevojshme për të konstatuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim real.
Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse është gjetur ndonjë mjet shpërthyes, ndërsa veprimet hetimore janë në zhvillim./lajmi.net/