Policia jep detaje të reja nga vrasja në Dragash: Rasti kishte filluar me rrahje mes disa personave, i dyshuari ende në arrati

Dalin detaje të reja lidhur me rastin e vrasjes që ndodhi mbrëmjen e 29 qershorit në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, ku një person humbi jetën pas një përleshjeje mes disa personave. Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 23:15 është pranuar një informatë për një rrahje në këtë fshat, ndërsa me të arritur në…

Lajme

30/06/2026 09:26

Dalin detaje të reja lidhur me rastin e vrasjes që ndodhi mbrëmjen e 29 qershorit në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, ku një person humbi jetën pas një përleshjeje mes disa personave.

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 23:15 është pranuar një informatë për një rrahje në këtë fshat, ndërsa me të arritur në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka hasur një person të shtrirë në tokë, i cili dyshohet se ishte goditur me një mjet të mprehtë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, në një prononcim për lajmi.net ka dhënë detaje të plota për rastin:

“Më datë 29.06.2026, rreth orës 23:15, policia është njoftuar përmes telefonit se në fshatin Zlipotok, komuna e Dragashit, kishte ndodhur një rrahje mes disa personave. Me arritjen në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka gjetur një person të shtrirë në tokë. Dyshohet se lëndimet i janë shkaktuar me një mjet të mprehtë. Pas arritjes së ekipit mjekësor nga QKMF Dragash, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, G.T., mashkull rreth 47-vjeçar nga Zlipotoku i Dragashit. I dyshuari është identifikuar si B.H., mashkull 40-vjeçar nga Zlipotoku. I njëjti ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e kaluar policia është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante të Stacionit Policor në Dragash, komandanti i stacionit, si dhe është njoftuar Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren, të cilës më vonë i janë bashkuar edhe njësi të tjera policore. Hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me prokurorin e shtetit.”

Policia ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar në terren dhe se po punohet intensivisht për kapjen e të dyshuarit, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Rasti është cilësuar si vrasje dhe po hetohet në koordinim me organet e drejtësisë./lajmi.net/