Peter Magyar betohet si kryeministër i Hungarisë, premton kthesë politike dhe ekonomike
Lideri i qendrës së djathtë, Peter Magyar, është betuar si kryeministër i ri i Hungarisë, duke hapur një kapitull të ri politik pas largimit nga pushteti të Viktor Orbanit, i cili udhëhoqi vendin për 16 vjet. Magyar arriti fitore në zgjedhjet e 12 prillit me partinë e tij Tisza, duke siguruar shumicë kushtetuese në parlament.…
Lajme
Lideri i qendrës së djathtë, Peter Magyar, është betuar si kryeministër i ri i Hungarisë, duke hapur një kapitull të ri politik pas largimit nga pushteti të Viktor Orbanit, i cili udhëhoqi vendin për 16 vjet.
Magyar arriti fitore në zgjedhjet e 12 prillit me partinë e tij Tisza, duke siguruar shumicë kushtetuese në parlament. Rezultati zgjedhor i jep atij mundësinë të ndryshojë një sërë reformash të ndërmarra gjatë qeverisjes së Orbanit, të cilat janë kritikuar nga kundërshtarët si masa që kanë dëmtuar institucionet demokratike në vend, transmeton lajmi.net.
Në fjalimin e tij pas marrjes së detyrës, kryeministri i ri deklaroi se qytetarët hungarezë kanë kërkuar ndryshim rrënjësor.
“Hungarezët na dhanë mandat jo vetëm për të ndërruar qeverinë, por për të transformuar vetë sistemin”, u shpreh Magyar.
Fitorja e tij është pritur pozitivisht në tregjet financiare. Forinti ka shënuar forcim kundrejt euros, ndërsa interesat e obligacioneve shtetërore kanë rënë, duke reflektuar optimizëm te investitorët për kursin e ri politik dhe ekonomik.
Megjithatë, sfidat për qeverinë e re mbeten të mëdha. Ekonomia hungareze sapo ka dalë nga një periudhë stagnimi, ndërsa rritja e kostove të energjisë dhe tensionet në Lindjen e Mesme rrezikojnë të rëndojnë më tej situatën ekonomike në Evropë.
Sipas të dhënave të fundit financiare, deri në fund të prillit deficiti buxhetor i Hungarisë kishte arritur mbi dy të tretat e objektivit vjetor. Magyar ka paralajmëruar se deficiti mund të afrohet në rreth 7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto gjatë këtij viti.
Qeveria e re synon gjithashtu të përmirësojë raportet me Bashkimin Evropian dhe aleatët perëndimorë. Gjatë mandatit të Orbanit, Budapesti ishte kritikuar shpesh për afrimin me Kremlinin dhe qëndrimet kundërshtuese ndaj ndihmës evropiane për Ukrainën.
Magyar ka premtuar se do ta rikthejë Hungarinë më afër partnerëve perëndimorë dhe se do të punojë për zhbllokimin e miliarda eurove fonde të pezulluara nga BE-ja.
Një tjetër premtim i tij lidhet me reformimin e mediave publike. Ai ka akuzuar mediat shtetërore dhe ato pranë ish-qeverisë se kanë favorizuar Orbanin për vite me radhë dhe ka paralajmëruar pezullim të transmetimeve informative në median publike deri në ristrukturimin e saj.
Kryeministri i ri ka paralajmëruar gjithashtu nisjen e një fushate të gjerë kundër korrupsionit, duke e cilësuar transparencën dhe rikthimin e besimit te institucionet si prioritetet kryesore të mandatit të tij./lajmi.net/