“Ma vranë djalin”, prindërit e njërit prej fëmijëve e panë tragjedinë e Durrësit nga kamerat e sigurisë
Në një atmosferë të rënduar nga dhimbja dhe trishtimi, në zonën e ish-Kënetës në Durrës u zhvillua ceremonia mortore e dy fëmijëve të mitur, K. Nikolli dhe E. Muça, të cilët humbën jetën tragjikisht pasi u përplasën nga një 57-vjeçar, Nikoll Radaçi, shkruan JOQ Albania. Familjarë, të afërm dhe banorë të zonës u mblodhën për…
Lajme
Në një atmosferë të rënduar nga dhimbja dhe trishtimi, në zonën e ish-Kënetës në Durrës u zhvillua ceremonia mortore e dy fëmijëve të mitur, K. Nikolli dhe E. Muça, të cilët humbën jetën tragjikisht pasi u përplasën nga një 57-vjeçar, Nikoll Radaçi, shkruan JOQ Albania.
Familjarë, të afërm dhe banorë të zonës u mblodhën për t’u dhënë lamtumirën e fundit dy vogëlushëve, në një ngjarje që ka tronditur komunitetin dhe më gjerë.
Mes dhimbjes së madhe, një banore e zonës që mori pjesë në ceremoninë mortore ka ndarë me mediat detaje prekëse për reagimin e familjes së njërit prej fëmijëve. Sipas saj, nëna e 9-vjeçarit K. Nikolli, e cila ndodhej në Itali pranë bashkëshortit të saj të sëmurë rëndë me kancer, e ka parë tragjedinë përmes kamerave të sigurisë.
Ajo tregon se lajmi është përjetuar në mënyrë shkatërruese nga familja, e cila ndodhej e ndarë në dy vende për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortit. Në momentin kur ka kuptuar çfarë kishte ndodhur, nëna e vogëlushit ka shpërthyer në dëshpërim, duke thënë se djalin ia morën pranë derës së shtëpisë.
“Kanë qenë një familje e qetë, që jetonin vetëm për punën e tyre. Ishin të thjeshtë dhe të varfër. Në atë moment tragjik, nëna ndodhej në Itali për shkak të gjendjes së rëndë të bashkëshortit. Ngjarjen e ka parë përmes kamerave dhe ka reaguar me dhimbje të madhe, duke thënë se ‘ma vranë djalin në derë të shtëpisë’”, rrëfeu banorja.
Ajo shtoi se babai i fëmijës ndodhet gjithashtu në gjendje të rëndë shëndetësore dhe mezi arrin të flasë, ndërsa familja është përballur me një goditje të dyfishtë, mes sëmundjes dhe humbjes tragjike.