Hoti kërkon rezolutë për dialogun me Serbinë: Ka mungesë transparence dhe kthim prapa në proces
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Abdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të transparencës në procesin e dialogut me Serbinë, duke e cilësuar situatën si shqetësuese për Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës. Ai tha se, sipas tij, mënyra se si po menaxhohet procesi ka ndryshuar drejtim dhe është larg objektivit fillestar për…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Abdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të transparencës në procesin e dialogut me Serbinë, duke e cilësuar situatën si shqetësuese për Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës.
Ai tha se, sipas tij, mënyra se si po menaxhohet procesi ka ndryshuar drejtim dhe është larg objektivit fillestar për marrëveshje finale me njohje reciproke.
“Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, do të flas për dy tema nacionale, e para është dialogu me Serbinë. Gjatë këtyre muajve dhe viteve, në menaxhimin e këtij procesi është një kthim prapa dhe nuk është hera e parë që po e përmendim, sepse ka pasur një dakordim që ky proces të orientohet drejt marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke, ndërkohë që tash është kthyer mbrapa, në atë që ne e kemi quajtur për vite të tëra, dialog teknik”, tha Hoti, transmeton lajmi.net.
Ai shtoi se ekziston përshtypja që zhvillimet në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit kanë ndikuar në mungesën e raportimit të Qeverisë në Kuvend për këtë proces.
Hoti gjithashtu kërkoi që Kuvendi të miratojë një rezolutë për këtë çështje.
Ai tha: “do të kërkojmë që Kuvendi të nxjerrë një rezolutë që adreson çështjen e transparencës dhe rikonfirmon orientimin për marrëveshje me njohje reciproke”.
Kujtojmë se Hoti kishte nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2020, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump./lajmi.net/