Nagavci i dënon deklaratat skandaloze të Gecit: Janë qëndrime individuale të tij dhe të pandikuara nga askush, nuk më njoftoi çka do të flas
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur sot për media pas mbledhjes së kryesisë. Ajo është pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratat skandaloze që deputeti i Guxo-s, Fatos Geci i ka dhënë në seancën parlamentare të së martes, ku ka kërkuar burg të përjetshëm për Hashim Thaçin ndërsa ka përdorur…
Lajme
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur sot për media pas mbledhjes së kryesisë.
Ajo është pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratat skandaloze që deputeti i Guxo-s, Fatos Geci i ka dhënë në seancën parlamentare të së martes, ku ka kërkuar burg të përjetshëm për Hashim Thaçin ndërsa ka përdorur gjuhë seksiste për nënkryetaren e Kuvendit nga PDK, Vlora Çitakun.
Nagavci ka thënë se menjëherë pas deklaratës së tij para Kuvendit është distancuar nga gjuha e përdorur.
“E kam përsëritur edhe njëherë qëndrimin që është i ditur. LVV respekton, nderon vlerat e luftës së drejtë, të pastër të UÇK-së dhe beson që Gjykata Speciale është një padrejtësi që i është bërë Kosovës. Beson që Gjykata Speciale ka të bëj me një trajtim jo të drejtë dhe jo të barabartë, dhe gjithë ata që kanë mundësuar krijimin e Gjykatës Speciale i kanë sjell një dëm me pasoja të së cilës po përballemi çdo ditë”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka thënë se deklarimi i Gecit dhe qëndrimi i tij ka qenë personal dhe deklarata e tij ka qenë individuale dhe e pandikuar nga askush.
“Ai ka kërkuar miratimin tim si kryetare e Grupit Parlamentar që të marr fjalën, gjegjësisht më ka njoftuar se do të marr fjalën por në asnjë moment as mua si kryetare e besoj as të tjerëve nuk iu ka bërë të qartë për fjalinë që krijoi kaq shumë debat me të drejtë dhe u dënua nga të gjithë”, ka thënë Nagavci.
Ajo gjithashtu e ka dënuar edhe deklaratën seksiste në raport me deputeten Çitaku.
“Ndërkaq sa i përket deklaratës seksiste që ai e pati në raport me deputeten Çitaku, natyrisht se e dënoj një gjuhë të tillë edhe këtu në Kuvend e mbi të gjitha në Kuvend por edhe në secilin institucion. Angazhimi jonë duhet të jetë që një gjuhë e tillë të mos përdoret në asnjë rast askund”, ka thënë ajo.
Për masa dhe vendime ndaj tij, ajo ka thënë se Geci është deputet i Guxo-s dhe se si VV i kanë qëndrimet e tyre që i kanë shprehur kryeministri Kurti, kryetarja e Grupit Parlamentar Nagavci dhe kryetarja e Kuvendit Haxhiu.
“Janë deklarata individuale të deputetit Geci i cili sa i përket masave dhe vendimeve në parti, e dini që ai është deputet i partisë Guxo dhe si Lëvizje kemi qëndrimet tona për të cilat ka fol kryeministri, edhe unë edhe kryetarja e Kuvendit”, ka shtuar Nagavci. /Lajmi.net/