Kurti e pret në takimin ministrin turk të Tregtisë, shpreh gatishmërinë për mbajtjen e Forumit Ekonomik të dy vendeve në Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, ka pritur në takim ministrin e Tregtisë të Turqisë, Ömer Bolat. Në takim, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe e falënderoi ministrin Bolat për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme të Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Kosovës. “Teksa shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për thellim të mëtejmë…

Lajme

22/04/2026 16:58

Kryeministri i Republikës së Kosovës, ka pritur në takim ministrin e Tregtisë të Turqisë, Ömer Bolat.

Në takim, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe e falënderoi ministrin Bolat për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme të Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Kosovës.

“Teksa shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, kryeministri Kurti tha se në dekadën e fundit janë dyfishuar shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve, me rritjen më të shpejtë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë. Të dy diskutuan për mundësitë e zgjerimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë edhe për shërbimet, përfshirë ato profesionale, të teknologjisë së informacionit, të transportit dhe të logjistikës, si dhe shërbimet financiare. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti përmendi  potencialin e jashtëzakonshëm të Republikës së Kosovës për eksport të shërbimeve”, ka njoftuar ZKM.

Kurti ka theksuar se do të ishte i lumtur që Forumi i dytë Ekonomik Kosovë-Turqi, pas atij në Stamboll më 2024 të mbahej këtë vit në Prishtinë, si hap konkret i radhës, thellimit dhe i zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

Aty është diskutuar edhe për aktivizimin e Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar.

“Me qëllim të ndërlidhjes globale dhe ekonomike, kryeministri Kurti foli për synimet për hapjen e një linje të re ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ndihmën e Republikës së Turqisë. Pasi theksoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, kryeministri Kurti përcolli mirënjohjen dhe falënderimet e tij për presidentin Recep Tayyip Erdoğan për angazhimin dhe mbështetjen e posaçme ndërkombëtare për Kosovën”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/