Zyrtari i NATO-s: Serbia të angazhohet në mënyrë konstruktive, s’do lejojmë një vakum sigurie
Një zyrtar i NATO-s ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në rajon dhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për integrimin e raketave balistike të prodhimit kinez në kapacitetet ushtarake të vendit. Në përgjigjen zyrtare për A2CNN, zyrtari i NATO-s thekson se aleanca pret nga Beogradi zyrtar që të angazhohet në mënyrë konstruktive…
Lajme
Një zyrtar i NATO-s ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në rajon dhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për integrimin e raketave balistike të prodhimit kinez në kapacitetet ushtarake të vendit.
Në përgjigjen zyrtare për A2CNN, zyrtari i NATO-s thekson se aleanca pret nga Beogradi zyrtar që të angazhohet në mënyrë konstruktive me NATO-n dhe vendet fqinje.
NATO rikujton gjithashtu se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në fokus të saj, duke theksuar se angazhimi për stabilitet është i palëkundur dhe se nuk do të lejohet krijimi i një vakumi sigurie.
“Lidhur me çështjen specifike që keni ngritur, ju referoj të adresoheni tek autoritetet serbe.
Serbia ka një partneritet të kahershëm me NATO-n, duke iu bashkuar programit “Partneriteti për Paqe” në vitin 2006. Ajo ka një rol të rëndësishëm për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ne presim që Serbia të angazhohet në mënyrë konstruktive me NATO-n dhe me fqinjët e saj. Ballkani Perëndimor mbetet me rëndësi në axhendën NATO-s. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë krijimin e një vakumi sigurie. KFOR vazhdon të luajë një rol kritik sigurie në Kosovë, ndërsa ne vijojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me BE-në. Gjithashtu, NATO vazhdon të mbështesë operacionin e udhëhequr nga BE në Bosnje dhe Hercegovinë, “Operacioni Althea”, përmes marrëveshjeve “Berlin Plus”. Të gjitha këto i bëjmë për të siguruar që paqja në rajon të mbrohet”, thuhet në përgjigje.