Kuvendi i Shqipërisë nesër shpall Iranin shtet terrorist
Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot pas vendimit të Partisë Demokratike për të bojkotuar seancën plenare ditën e nesërme. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla bëri të ditur se nesër do të votohet projekt-rezoluta që Irani të shpallet shtet terrorist, e cila është urgjente. “Keqardhje për njoftimin se Grupi…
Lajme
Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot pas vendimit të Partisë Demokratike për të bojkotuar seancën plenare ditën e nesërme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla bëri të ditur se nesër do të votohet projekt-rezoluta që Irani të shpallet shtet terrorist, e cila është urgjente.
“Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni”, shkruan Balla.
Gjithashtu sipas Ballës seanca nuk është thirrur në kundërshtim me rregulloren.
“Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike) Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë”, u shpreh Balla.
Por, sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhit, “në rendin e ditës nuk është përfshirë miratimi i ndonjë rezolute”. Sipas tij është përfshirë vetëm miratimi i procesverbaleve dhe njoftimet.
Bardhi theksoi më tej se “në kalendarin e punimeve të Kuvendit, të miratuar nga seanca plenare e datës 19 Shkurt 2026, seanca është planifikuar të zhvillohet të enjten, datë 19 Mars 2026. Ndryshimi i ditës së mbledhjes së seancës plenare është bërë në mënyrë të njëanshme nga Kryetari i Kuvendit, sipas axhendës së tij personale dhe kundërshtim me Kalendarin e miratuar me vendim të Kuvendit. Për pasojë, mbledhja e seancës plenare është thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, shkruan ATSh.
Sipas Bardhit, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste” është bërë streh e të korruptuarve dhe personave të lidhur me krimin e organizuar”.