Pagesa për përcjellësit në QKUK, a po bëhet barrë shtesë për familjarët e pacientëve?
Vendosja e tarifës ditore prej 3 eurosh për shoqëruesit e pacientëve në QKUK ka nxitur debat. Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës theksoi se vendimi është paradoksal. “E para, ne kemi thënë që është një vendim i kundraligjshëm dhe si i tillë duhet të kthehet në pikën zero. E dyta, është vendim paradoksal,…
Lajme
Vendosja e tarifës ditore prej 3 eurosh për shoqëruesit e pacientëve në QKUK ka nxitur debat.
Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës theksoi se vendimi është paradoksal.
“E para, ne kemi thënë që është një vendim i kundraligjshëm dhe si i tillë duhet të kthehet në pikën zero. E dyta, është vendim paradoksal, sepse njeh rolin e familjarit të pacientit që kontribuon në shëndetin e pacientëve, por në anën tjetër e tarifon atë. Pra, është shumë paradoksale”, tha ai.Tevide Imeri, nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, theksoi se vendimi është i nxituar, pasi shoqëruesi paguan, por çka përfiton?
“Nëse përcjellësi detyrohet të paguajë 3 euro, çfarë i ofrojmë për këtë pagesë që po bën? Prandaj konsideroj se është një vendim i ngutshëm dhe nuk është diskutuar mjaftueshëm me të gjithë dikasterët”, tha Imeri, transmeton Klankosova.
Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, deklaroi se kjo praktikë ka ekzistuar edhe më parë, por nuk është zbatuar dhe shërben si barrë për familjarët.
“Ka shkaktuar reagime për shkak të kostos që bie mbi pacientët dhe familjarët. Bëhet fjalë për një udhëzim administrativ të vitit 2007, ku ishte parashikuar një pagesë për shoqëruesit ose familjarët prej 5 eurosh. Udhëzimi është rishikuar në vitin 2024 dhe pagesa është përcaktuar në 3 euro, por asnjëherë nuk është zbatuar deri tani. QKUK-ja ka filluar të zbatojë këtë pikë të udhëzimit administrativ, që sigurisht përbën një kosto dhe barrë shtesë për familjarët, përveç pagesave të tjera”, tha Vitija.