Dedaj: Dialogu me Serbinë kërkon seriozitet, jo zhurmë politike

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj ka reaguar për pritjet e rifillimit të dialogut Kosovë–Serbi, duke vlerësuar se institucionet aktuale nuk po hyjnë të përgatitura në këtë proces. Sipas Dedajt Kosova në vitet e fundit është përballur me izolim politik dhe masa ndëshkuese ndërkombëtare, gjë që, siç thotë ai, ka dëmtuar kredibilitetin institucional dhe kapacitetin negociues të vendit…

Lajme

23/02/2026 10:01

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj ka reaguar për pritjet e rifillimit të dialogut Kosovë–Serbi, duke vlerësuar se institucionet aktuale nuk po hyjnë të përgatitura në këtë proces.

Sipas Dedajt Kosova në vitet e fundit është përballur me izolim politik dhe masa ndëshkuese ndërkombëtare, gjë që, siç thotë ai, ka dëmtuar kredibilitetin institucional dhe kapacitetin negociues të vendit për çështje të ndjeshme si dialogu me Serbinë.

‘’ Një regjim i papërgjegjshëm, siç është ky Kurti-Osmani, asnjëherë nuk dëshmoj seriozitet dhe agjendë të saktë përkitazi me zhvillimet politike në Kosovë. Kosova e cila u degradua, sanksionua dhe izolua në 5 vjecarin e këtij regjimi, nuk është në kondicion politik dhe nuk ka kredibilitet institucional e shtetëror për tema aq të ndjeshme , siç është dialogu Kosovë-Serbi dhe këtë e ka dëshmuar në qeverisjen e kaluar dhe fatkeqësisht do t’a ricikloj edhe në mandatin e brishtë të tanishëm’’, tha Dedaj për FrontOnline.

Dedaj thotë se udhëheqja aktuale nuk i ka trajtuar me prioritet temat shtetërore strategjike, por është fokusuar më shumë në agjenda të brendshme politike dhe përplasje retorike.

‘’ Ky regjim deri me sot nuk është marrë me temat shtetërore të rëndësisë jetike për Republikën e Kosovës. Në fakt liderët aktual prioritet i kanë kushtuar vetes dhe karrierës së tyre, herë herë duke hedhur fishekzjarrë politike vetëm për zhurmë dhe për vota e pushtet’’, thotë ish amabsadori Dedaj.

Dedaj thotë se bisedimet me Serbinë duhet të orientohen drejt çështjeve thelbësore ndërshtetërore, përfshirë njohjen reciproke, fatin e personave të pagjetur, dëmet e luftës, dorëzimin e personave të dyshuar për krime lufte, të drejtat e komuniteteve dhe normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve.

‘’ Sikur të kishin strategji, agjendë dhe ekip profesional, atëherë me Serbinë do duhej të bisedohej për njohjet reciproke të dy shteteve, për fatin e të pa gjeturve,  dëmet e luftës, dorëzimin e kriminelëve të luftës e deri te Radoiçiqi, për pozitën e pakicës serbe në Kosove dhe asaj shqiptare në Serbi, për normalizimin, stabilitetin dhe paqen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe një varg çështjesh të tjera bilaterale dhe ndërshtetërore’’, deklaroi Dedaj.

Dedaj thotë  gjithashtu se përgjegjësia për progresin në dialog nuk duhet të jetë e njëanshme dhe se, përveç Kosovës, edhe Serbia duhet të mbajë barrë të qartë për zbatimin e marrëveshjeve dhe stabilitetin rajonal.

‘’Progresi në dialog nuk është i njëanshëm, ai varet nga të dyja palët dhe BE nuk duhet t’a dënojë vetëm Kosovën por edhe Serbinë e cila është përgjegjëse dhe fajtore kryesore e rrezikut të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon’’, thotë ish ambasadori Dedaj.

Dedaj  e konsideron të gabuar vendosjen e masave ndaj Kosovës dhe sugjeron një qasje më të fortë garancish ndërkombëtare, duke përfshirë perspektivë më të qartë integruese për të dyja vendet nëse arrihet pajtim dhe zbatohen marrëveshjet ndërmjet tyre.

‘’ Masat ndaj Kosovës janë instrument i gabuar. Do ishte shumë më mirë sikur BE të garantonte anëtarësimin e Kosovës dhe të Serbisë në BE dhe NATO, nëse arrijnë pajtimin dhe realizimin e plote të marrëveshjeve bilaterale dhe ndërshtetërore si dy vende fqinje’’, tha Dedaj.