Protesta para Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, MPJD: U përdor gjuhë me tone ekstremiste
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se në ditën e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, para ndërtesës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, ku ndodhet edhe Zyra Ndërlidhëse e Kosovës, është mbajtur një tubim protestues i organizuar nga grupe me “prirje ekstremiste serbe”. Sipas informacionit zyrtar, rreth 80 persona…
Lajme
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se në ditën e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, para ndërtesës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, ku ndodhet edhe Zyra Ndërlidhëse e Kosovës, është mbajtur një tubim protestues i organizuar nga grupe me “prirje ekstremiste serbe”.
Sipas informacionit zyrtar, rreth 80 persona morën pjesë në tubim, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj funksionimit të Zyrës Ndërlidhëse dhe duke kërkuar mbylljen e saj.
Në adresimet e tyre, u përdor “deklarata me përmbajtje të ashpër dhe retorikë që nuk kontribuon në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet palëve”.
MPJD në një përgjigje për Lajmi.net vlerëson se e drejta për tubim paqësor është një “standard demokratik”, por shton se çdo formë e “gjuhës së urrejtjes, nxitjes së dhunës apo kërcënimit bie ndesh me vlerat evropiane dhe frymën e marrëveshjeve ekzistuese”.
Ministria thekson se retorika që nxit tensione “nuk i shërben stabilitetit rajonal dhe as interesit të qytetarëve të të dyja vendeve”.
Në përgjigjen e tyre po ashtu theksohet se Republika e Kosovës mbetet “e përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut”, si dhe ndaj avancimit të marrëdhënieve fqinjësore mbi bazën e “respektit të ndërsjellë, sovranitetit dhe integritetit territorial”./Lajmi.net/