“Marshi më i madh në historinë e Kosovës së lirë” – “Liria ka emër” jep detaje për protestën masive sot në kryeqytet

Sot, më 17 shkurt, në Sheshin “Skënderbeu” u mbajt marshimi më i madh në historinë e Kosovës së lirë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre. Platforma Qytetare…

Lajme

17/02/2026 16:30

Sot, më 17 shkurt, në Sheshin “Skënderbeu” u mbajt marshimi më i madh në historinë e Kosovës së lirë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.

Platforma Qytetare “Liria Ka Emër” njoftoi se qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës, diaspora dhe madje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbushën sheshet e kryeqytetit, duke qëndruar me orë të tëra në kushte atmosferike të vështira për të dhënë një mesazh të qartë, paqësor dhe dinjitoz.

“Sot, populli foli. Dhe në emër të popullit, ata janë – ÇLIRIMTARË”, thuhet në njoftimin e platformës. Mesazhi i qytetarëve ishte i qartë: drejtësia duhet të jetë mbi politikën dhe sakrifica e UÇK-së nuk duhet relativizuar apo trajtuar si çështje politike.

Platforma “Liria Ka Emër” shprehu falënderimet e saj më të thella për çdo qytetar, familje, të ri e të re, si dhe për organizatat, shoqatat, profesionistët, artistët, sportistët dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare që iu bashkuan marshimit historik.

“Sot, Kosova foli me një zë. Dhe ai zë kërkon: Drejtësi, jo politikë,” përfundon njoftimi. /Lajmi.net/