E turpshme- Qeveria e Kosovës nuk ekzekutoi pagesat e muajit dhjetor për familjet e policëve të rënë në kryerje të detyrës

Një gjë aspak e hijshme dhe aspak dinjitoze raportohet të ketë ndodhur nga Ministria e Financave, e drejtuar nga Hekuran Murati. Kjo ministri raportohet se nuk i ka ekzekutuar pagesat për familjet e policëve të rënë në kryerje të detyrës. Kjo është bërë e ditur nga Sindikata e Policisë së Kosovës,ku u tha se pagesat…

Lajme

09/01/2026 11:30

Një gjë aspak e hijshme dhe aspak dinjitoze raportohet të ketë ndodhur nga Ministria e Financave, e drejtuar nga Hekuran Murati.

Kjo ministri raportohet se nuk i ka ekzekutuar pagesat për familjet e policëve të rënë në kryerje të detyrës.

Kjo është bërë e ditur nga Sindikata e Policisë së Kosovës,ku u tha se pagesat për muajin dhjetor nuk janë kryer fare, transmeton lajmi.net.

“Sindikata shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me mos-pagesën e familjeve të policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor. Edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave. Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”,thuhet në njoftim.

Tutje u theksua se kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve./Lajmi.net/