Vit i errët për skenën muzikore: 2025-ta mori disa nga zërat më të dashur
Viti 2025 ka qenë i rëndë për skenën muzikore, me ndarjen nga jeta të disa artistëve të dashur, si në hapësirën shqiptare ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Shpat Kasapi, Shemsi Krasniqi e Afrim Spahiu u ndanë nga kjo botë në mënyrë të papritur. Lajmet për vdekjen e tyre tronditën thellë skenën muzikore dhe prekën mijëra…
ShowBiz
Viti 2025 ka qenë i rëndë për skenën muzikore, me ndarjen nga jeta të disa artistëve të dashur, si në hapësirën shqiptare ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Shpat Kasapi, Shemsi Krasniqi e Afrim Spahiu u ndanë nga kjo botë në mënyrë të papritur. Lajmet për vdekjen e tyre tronditën thellë skenën muzikore dhe prekën mijëra fansa që u rritën me këngët dhe zërin e tyre karakteristik.
Kolegë, miq dhe adhurues të muzikës i kujtuan ata me dhimbje dhe respekt të madh, duke vlerësuar kontributin e çmuar që lanë pas në muzikën shqiptare.
Këngëtari i njohur nga Tetova, Shpat Kasapi vdiq në moshën vetëm 40-vjeçare, pas një goditjeje në zemër gjatë qëndrimit disa-ditor në Itali.
Artisti kishte udhëtuar atje për të kryer një kontroll mjekësor për djalin e tij, Roelin, së bashku me bashkëshorten e tij, Selvije Jaon. Ndarja e tij e parakohshme nga jeta e tronditi thellë familjen.
E thyer nga dhimbja, Selvija reagoi në rrjetet sociale, ku tregoi se Shpati vdiq në krahët e saj, duke lënë pas një dhimbje të pashërueshme dhe një boshllëk të madh në jetën e familjarëve dhe të gjithë atyre që e deshën.
“Ndërrove jetë në krahët e mi, o jetë. Sa të lumtur ishim që më në fund Roelit po i bëheshin dokumentet në Itali që të mund ta çonim sa më shpejt tek logopedët më të mirë”.
“Sa jemi lodhur, sa jemi stresuar dhe askush nuk e di. Sa të afërt kemi qenë, sa bashkëpunues në privatësinë tonë, duke shijuar rritjen dhe zhvillimin e Roelit. Nuk prite ta dëgjoje duke të thirru babi, nuk prite o Shpat. Nxitove dhe na le këtë vetëm, pa ty. E le Roelin jetim, o Shpat”, shkroi gruaja e këngëtarit të ndjerë.
Shpati, ishte një nga zërat më të dashur të muzikës pop shqiptare, me këngë që u kthyen në hite dhe që vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e publikut në të gjitha trojet shqiptare, shkruan Klankosova.
Para se të përcillej për në banesën e fundit, në Pallatin e Kulturës në Tetovë u mbajt një ceremoni përkujtimore. Një numër i madh miqsh, bashkëpunëtorësh, familjarësh dhe figurash publike u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit, mes lotësh, dhimbjeje dhe kujtimesh që do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së muzikës sonë.
Pak para përfundimit të këtij viti, publiku u trondit edhe me vdekjen e Shemsi Krasniqit – Shemi, vokalistit të grupit të famshëm “Ilirët”.
Ai u gjet pa shenja jete në banesën e tij në kryeqytet, pas një sulmi kardiak, duke lënë një boshllëk në muzikën tradicionale.
Personalitete nga politika, si dhe emra të shumtë të njohur nga bota e muzikës, e kujtuan Shemin për hitet e tij, duke i cilësuar ato si të pavdekshme dhe pjesë të trashëgimisë muzikore shqiptare.
Varrimi i Shemit u bë në varrezat e Dragodanit në Prishtinë, ku morën pjesë familjarë, miq dhe një numër i madh qytetarësh.
Nga kjo botë u largua papritmas edhe këngëtari Afrim Spahiu, nga fshati Pojat i Komunës së Ferizajt. Ai ndërroi jetë pas një sulmi kardiak, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe adhuruesit e muzikës së tij.
Ndërkohë, edhe skena e muzikës botërore u përball me humbje të mëdha, me ndarjen nga jeta të artistëve dhe ikonave të njohura ndërkombëtare, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës.
Chris Rea – Këngëtar dhe kompozitor britanik, i famshëm për hitin “Driving Home for Christmas”, ndërroi jetë në moshën 74 vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtër.
Perry Bamonte – Kitarist dhe multi-instrumentalist për grupin legjendar The Cure, vdiq në moshën 65 vjeçare pas një sëmundjeje.
Wizz Jones – Kitarist dhe këngëtar anglez i muzikës folk, u nda nga jeta në moshën 86 vjeçare.
Freddie Aguilar – Legjendë e muzikës pop-rok filipinase, vdiq në moshën 72 vjeçare.
Sonny Curtis – Këngëtar dhe kompozitor amerikan, anëtar i The Crickets dhe autor i këngëve të famshme, vdiq në moshën 88 vjeçare.
Marianne Faithfull, Roberta Flack, Roy Ayers, Sly Stone, Brian Wilson e të tjerë, legjenda të muzikës ndërkombëtare që u ndanë nga jeta gjatë vitit 2025.
Viti 2025 do të mbahet mend si një vit zie për muzikën, ndërsa artistët e ndarë nga jeta do të jetojnë përmes veprës dhe trashëgimisë që lanë pas.