KQZ u mundëson qytetarëve verifikimin online të Qendrës së Votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se qytetarët me të drejtë vote mund të verifikojnë në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë Qendrën e Votimit ku janë të caktuar për të votuar, përmes platformës zyrtare elektronike. Sipas KQZ-së, qytetarët duhet të hyjnë në platformën online të institucionit dhe të plotësojnë numrin personal të Republikës…

Lajme

28/12/2025 08:08

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se qytetarët me të drejtë vote mund të verifikojnë në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë Qendrën e Votimit ku janë të caktuar për të votuar, përmes platformës zyrtare elektronike.

Sipas KQZ-së, qytetarët duhet të hyjnë në platformën online të institucionit dhe të plotësojnë numrin personal të Republikës së Kosovës si dhe datën e lindjes. Pas futjes së këtyre të dhënave, sistemi gjeneron informacionet përkatëse të votuesit, kësisoj qytetarët mund të qasen në platformën https://qv.kqz-ks.org.

Në faqen që hapet shfaqen të dhënat personale të votuesit, përfshirë edhe adresën e saktë të Qendrës së Votimit ku ai apo ajo është i/e caktuar të votojë. KQZ bën të ditur se lokacioni i qendrës mund të shikohet edhe përmes Google Map, duke ua lehtësuar qytetarëve orientimin dhe pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.

Nga KQZ theksojnë se kjo platformë synon të rrisë informimin e votuesve dhe të ndihmojë në një proces zgjedhor sa më të rregullt dhe transparent. /Lajmi.net/