Sindikata e Re e KEK-ut: Punëtorët nuk mashtrohen me statistika
Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar ndaj publikimit të një tabele nga Bordi dhe Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës, e cila paraqet të ashtuquajturat “paga mesatare” të punonjësve ndër vite. Sipas sindikatës, këto të dhëna krijojnë një përshtypje të rreme për mirëqenien e punëtorëve. Në reagimin e saj, Sindikata thekson se në shifrat…
Lajme
Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar ndaj publikimit të një tabele nga Bordi dhe Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës, e cila paraqet të ashtuquajturat “paga mesatare” të punonjësve ndër vite. Sipas sindikatës, këto të dhëna krijojnë një përshtypje të rreme për mirëqenien e punëtorëve.
Në reagimin e saj, Sindikata thekson se në shifrat e paraqitura janë përfshirë elemente shtesë si shujtat, transporti, sigurimi shëndetësor, pagesat për orë shtesë, punën gjatë vikendeve, përvoja e punës dhe bonuset, madje edhe angazhimi i punëtorëve përtej orarit ligjor. Sipas sindikatës, ajo që është lënë jashtë qëllimisht është paga bazë reale e punëtorit të zakonshëm.
“Sipas të dhënave tona, paga bazë reale e shumicës së punëtorëve të KEK-ut është rreth 750 euro, pa pagesa shtesë, pa orë shtesë, pa vikende dhe pa bonuse,” thuhet në reagim. Sindikata thekson se pa punë jashtë orarit dhe pa sakrificë personale, punëtorët nuk i arrijnë shifrat që, sipas tyre, i paraqet menaxhmenti.
Në reagim ngrihet edhe çështja e pagave të menaxhmentit, të cilat, sipas sindikatës, nuk janë publikuar. Sipas tyre, dallimi është i madh, pasi pagat e menaxhmentit arrijnë deri në katër apo pesë herë më shumë se pagat e punëtorëve që, siç thuhet, mbajnë sistemin energjetik në funksion.
Sindikata e Re e KEK-ut thekson se kërkesat e punëtorëve nuk janë për luks, por për paga bazë dinjitoze, drejtësi dhe respekt për punën dhe rrezikun e përditshëm që ata përballojnë. Ajo shton se tabelat dhe statistikat e publikuara nuk e ndryshojnë realitetin në terren dhe se punëtorët do të vazhdojnë me kërkesat e tyre legjitime.
“Punëtorët nuk mashtrohen me statistika. Punëtorët kërkojnë drejtësi,” përfundon reagimi i Sindikatës së Re të KEK-ut./Lajmi.net/