SPERTK iu bën thirrje partive politike: RTK-ja duhet të jetë prioritet i legjislaturës së 10-të

Sindikatë e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) i ka drejtuar një apel të hapur partive politike që synojnë përfaqësim në Legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhim serioz për garantimin e funksionimit dhe zhvillimit të RTK-së. Në reagimin e saj, SPERTK rikujton se Ligji i ri për RTK-në ende nuk është…

Lajme

19/12/2025 15:36

Sindikatë e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) i ka drejtuar një apel të hapur partive politike që synojnë përfaqësim në Legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhim serioz për garantimin e funksionimit dhe zhvillimit të RTK-së.

Në reagimin e saj, SPERTK rikujton se Ligji i ri për RTK-në ende nuk është miratuar, ndërsa çështjet kyçe si rregullimi i pronës së RTK-së dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm mbeten të pazgjidhura, transmeton lajmi.net.

Sindikata thekson se forma aktuale e financimit, ku 0.7% e buxhetit nacional i ndahet RTK-së, duhet të vazhdojë deri në miratimin e një ligji të ri.

SPERTK gjithashtu kërkon që punëtorët e RTK-së të përfitojnë pagesën e 13-të, një e drejtë që po paralajmërohet për të gjithë sektorin publik, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta.

Sindikata bën thirrje që legjislatura e ardhshme të:

  • vendosë RTK-në si prioritet institucional,

  • miratojë një ligj funksional për RTK-në,

  • rrisë buxhetin e transmetuesit publik,

  • mundësojë rritjen e pagave për punëtorët e RTK-së,

  • dhe të aplikojë pagesën e 13-të sipas praktikave të paralajmëruara për sektorin publik.

SPERTK njofton se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, do të vazhdojë me aksione sindikale ligjore për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe interesin publik.

Sindikata thekson se Radiotelevizioni i Kosovës është pasuri publike dhe zëri i qytetarëve, ndërsa përgjegjësia për funksionimin e tij mbetet në duart e institucioneve të Kosovës./lajmi.net/