Alban Krasniqi me vetëdije të plotë e nga zyret e KQZ-së e shkel betimin, tregon si të votohet VV-ja me postë

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, ka realizuar një veprim që po shihet si në kundërshtim me Ligjin e Përgjithshëm të Zgjedhjeve në Kosovë. Në zyrat e KQZ-së, ai ka publikuar një video ku tregon në detaje se si duhet të votohet me postë, duke injoruar faktin se ndodhet në…

Lajme

16/12/2025 13:27

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, ka realizuar një veprim që po shihet si në kundërshtim me Ligjin e Përgjithshëm të Zgjedhjeve në Kosovë.

Në zyrat e KQZ-së, ai ka publikuar një video ku tregon në detaje se si duhet të votohet me postë, duke injoruar faktin se ndodhet në një institucion kushtetues të pavarur, raporton lajmi.net

Në video, Krasniqi udhëzon votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje për mënyrën e votimit, duke përfshirë edhe përdorimin e fletëvotimit dhe zarfit të fshehtësisë.

“KQZ përmes postes së shpejt do të dërgojë në adresën tuaj një zarf të tillë. Brenda zarfit ju do të gjeni fletëvotimin, zarfin kthyes dhe zarfin e vogël apo zarfin e fshehtësisë”, thotë Krasniqi në video.

Ai shpjegon gjithashtu hapat që duhet të ndërmarrë çdo votues që ka zgjedhur të votojë me postë. Në hapin e dytë, Krasniqi tregon se duhet të votohet subjekti i tij politik në fletëvotim dhe vetë demonstron votimin për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Hapi i dytë. Fillimisht votoni për subjektin politik, në këtë rast për Lëvizjen Vetëvendosje, duke bërë një tik apo mund të bëni edhe X”, thotë Krasniqi, duke e votuar partinë e tij.

Videoja është publikuar në profilin e tij në Facebook dhe po shihet si një veprim që shkel Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Neni 62 i këtij ligji specifikon detyrat e anëtarëve të KQZ-së dhe përfshin betimin që ata japin para Presidentit.

“Presidenti i lëshon një shkresë emërimi secilit anëtar të KQZ-së, të cilët paraqiten personalisht para Presidentit ose përfaqësuesit të tij të caktuar në datën e shpallur nga Presidenti për ta dhënë deklaratën vijuese në gjuhën të cilën ai ose ajo e zgjedh vetë: ‘Deklaroj solemnisht se do t’i kryej detyrat e mia si anëtar i KQZ-së në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme.’”/Lajmi.net/