Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, së bashku me Zonjën e Parë, Zsuzsanna Nagy, qëndroi sot për herë të parë në një vizitë pune në Kosovë. Ata u mirëpritën në Presidencë nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.
Gjatë takimit bilateral, Presidentja Osmani theksoi synimin për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, duke vlerësuar rolin e Hungarisë si partner i rëndësishëm për Kosovën.
Ajo përsëriti rëndësinë e mbështetjes hungareze për heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se integrimi euro-atlantik i vendit mbetet prioritet strategjik.
“Mbështetja e Hungarisë është thelbësore. Integrimi euro-atlantik i Kosovës është në dobi të qytetarëve tanë, të rajonit dhe të të gjithë kontinentit evropian”, ka shkruar Osmani.