Përmendet Kosova, çka thuhet në Dokumentin e Strategjisë së re amerikane për Siguri

Politika e jashtme e Presidentit Trump është pragmatike pa qenë ‘pragmatiste’, (është) realistike pa qenë ‘realiste’, parimore pa qenë ‘idealiste’, e fortë pa qenë ‘luftënxitsë’ dhe e përmbajtur pa qenë ‘paqësore. Nuk është e bauzar në ideologji politike tradicionale – thuhet në Dokument. Fjalia që paralajmëron një pikpamje (politikë) krejtësisht jotradicionale amerikane, është ajo që…

Lajme

05/12/2025 16:19

Politika e jashtme e Presidentit Trump është pragmatike pa qenë ‘pragmatiste’, (është) realistike pa qenë ‘realiste’, parimore pa qenë ‘idealiste’, e fortë pa qenë ‘luftënxitsë’ dhe e përmbajtur pa qenë ‘paqësore. Nuk është e bauzar në ideologji politike tradicionale – thuhet në Dokument.

Fjalia që paralajmëron një pikpamje (politikë) krejtësisht jotradicionale amerikane, është ajo që thuhet në Dokumentin e Strategjisë së re amerikane të Sigurisë, siç u tha më lart se politika e jashtme e tij (Trumpit) “…nuk është e bazuar në ideologji politike tradicionale”.

Kjo mund të vërehet në të gjitha pjesët ku flitet për një ‘merge’ (bashkim) të Doktrinës Monroe dhe Politikës Trump.

Nëse do ta kërkonim tonalitetin e saj më të shprehur nëpër Dokument, atë e gjejmë te pjesa kur flet për Evropën.

Leximi i kësaj pjese, na kthen në kujtesë fjalimin e furishëm të Nënpresidentit amerikan JD Vance të mbajtur në Konferencën e Sigurisë së Munihut në shkurt të këtij viti, kur kontinetit tonë iu mblodhën ‘betë’ – sidomos për çështjen e lirisë së shprehjes dhe imigrimit.

Dokumenti i Strategjisë së re amerikane për sigurinë, në Kapitullin IV kur të titulluar ‘Strategjia’ (Principet) – rikthen edhe një herë në kujtesë ndërmarrjen e Presidentit Trump ‘marrëveshjet historike’ si dhe për ‘negocimin e paqes’ mes disa vendeve, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, transmeton nacionale.

“Ai negocioi paqe midis Kamboxhias dhe Tajlandës, Kosovës dhe Serbisë, RDC-së (Republikës Demokratike të Kongos) dhe Ruandës, Pakistanit dhe Indisë, Izraelit dhe Iranit, Egjiptit dhe Etiopisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit, dhe e përfundoi luftën në Gaza me të gjithë pengjet e gjalla të kthyer te familjet e tyre” – thuhet në Dokument.

(Pjesë nga Dokumenti: National Security Strategy of the United States of America November 2025)

Evropa në Strategjinë e sigurisë amerikane

Rënia ekonomike në Evropë, zë pjesën fillestare të Dokumentit, dhe që përveç kësaj, poenton faktin se ‘problemet në Evropë janë edhe më të thella’.

Zyrtarët amerikanë janë mësuar të mendojnë për problemet evropiane në terma të mungesës së shpenzimeve ushtarake dhe stagnimit ekonomik. Ka të vërtetë në këtë, por problemet reale të Evropës janë edhe më të thella”, thuhet në Dokument.

(Pjesë nga Dokumenti)

Dokumenti i Strategjisë Kombëtare të Sigurisë, potencon – veç tjerash – çështjet me të cilat përballet Evropa si ‘politikat e migracionit’ ‘censurimin e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike’.

“Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, kontinenti do të jetë i panjofshëm brenda 20 viteve ose më pak. Si i tillë, është larg të qenit e qartë nëse disa vende evropiane do të kenë ekonomi dhe ushtri mjaftueshëm të forta për të mbetur aleatë të besueshëm”- thuhet në Dokument.

Dokumenti tutje flet për luftën në Ukrainë dhe interesin amerikan për ‘një përfundim sa më të shpejtë të luftës’, veç tjerash, në mënyrë që ajo të mos ‘përshkallëzohet ose zgjerohet tutje’.

“Është interes i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara të negociojnë një përfundim të shpejtë të armiqësive në Ukrainë, për të stabilizuar ekonomitë evropiane, për të parandaluar përshkallëzim të paqëllimshëm ose zgjerim të luftës, dhe për të rivendosur stabilitetin strategjik me Rusinë, si dhe për të mundësuar rindërtimin pas-luftës të Ukrainës për të mbijetuar si shtet i qëndrueshëm”, thuhet në Dokument.

Por, pas kësaj tabloje ku Evropa përshkruhet më zymtë, vjen edhe fajlia në Dokument që flet se si kontinenti jonë, megjithate mbetet ‘vital dhe strategjik për ShBA-në’, përmes fjalive si në vijim:

“Diplomacia amerikane duhet të vazhdojë të mbështesë demokracinë e vërtetë, lirinë e shprehjes…”

“Amerika inkurajon aleatët e saj politikë në Evropë të promovojnë këtë ringjallje të shpirtit (evropian)”

“Qëllimi ynë duhet të jetë të ndihmojmë Evropën të korrigjojë drejtimin e saj aktual”.

Kur flitet për ridemiensionimin e marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe zgjidhjen e mundshme të luftës në Ukrainë dhe çka do të thotë ajo në praktikë për Evropën dhe Kosovën, studiuesi Agon Maliqi, ia kushton një pjesë të rëndësishme në një shkrim të publikuar sot:

“Në thelb ajo që po negociohet sot mes Rusisë dhe Ukrainës me ndërmjetësim amerikan është vija e e re ndarëse e sferave të interesit në mes të Perendimit dhe Lindjes, me Ukrainën si “buffer state” (shtet tampon). Në rast të ndonjë marrëveshjeje e cila i kënaq aspiratat e Putinit në fqinjësi, dhe me të cilën bie dakord edhe Evropa, Ballkani qartazi “do të vendoset” në sferën e boshtit perëndimor. Kështu ndoshta mund të shohim tërheqje (së paku të përkohshme) të angazhimit antagonist rus në Ballkan së paku në nivelet e para vitit 2013.

Arritja e mundshme e një marrëveshjeje të tillë dhe konsolidimi i sferave të interesit gjithsesi do ta kufizojë hapësirën vepruese dhe do ta rrisë varësinë e shteteve të vogla nga fuqitë e mëdha të boshtit “ku na është caktuar vendi”. Kjo mbi të gjitha do të thotë jo vetëm ulje të hapësirës vepruese ashtu kështu të vogël të Kosovës, por, ç’është më e rëndësishmja, do të jetë një goditje për politikën shumëvektorëshe të Serbisë dhe një detyrim për t’u rreshtuar drejt perëndimit. Serbia e sotme e dobët nuk është as Jugosllavia e dikurshme e Titos dhe as Turqia e sotme për të luajtur lojëra balancuese, dhe loja e saj zhvlerësohet sidomos nëse Rusia “e braktis” për interesa të saja në Ukrainë.

Në boshtin e perëndimit pavarësia e Kosovës është thuajse krejt e konsoliduar dhe kjo e rritë forcën detyruese ndaj Serbisë për njohje të realitetit. Në këtë kontekst të ri peshë më të madhe për Kosovën ka synimi për anëtarësim në NATO sesa në OKB, së paku për sa kohë që OKB nuk riformatohet nga fuqitë e mëdha.

Ndërkohë që ky rend i ri për Kosovën mund t’i krijojë disa përparësi në aspektin e sigurisë, sfidë më e madhe mbetet ajo e konsolidimit të demokracisë. Duhet shpresuar se në ribalancimin e ri në mes të SHBA dhe Evropës kjo e fundit do të arrijë të ruajë autonominë e veprimit si forcë promovuese e vlerave demokratike dhe se procesi i anëtarësimit në BE do të vazhdojë të mbetet motor i transformimit demokratik në Ballkan. Ajo që dihet është se SHBA, të paktë kjo e sotmja, nuk do të jetë forcë me ndonjë interesim të theksuar për ta shtyrë Kosovën përpara në drejtim të integrimeve evropiane apo demokracisë, por do ta ketë prioritet rreshtimin në fushën e sigurisë. Energjia për vazhdimin e transformimit demokratik dhe parandalimin e autoritarizmit duhet të vijë nga vetë ne, si pjesë e rrugëtimit drejt BE”.