Hamza jep detaje për takimet në SHBA: Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka njoftuar se dje ka përfunduar vizitën e tij dyditore në Washington ku tha se agjenda ishte intensive dhe ka paraqitur vizionin e tij për zhvillimin e Kosovës dhe rindërtimin e partneritetit të thellë në mes Kosovës dhe administratës amerikane. “Dje e përfundova vizitën time të shkurtër dyditore në Washington…

Lajme

01/12/2025 08:42

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka njoftuar se dje ka përfunduar vizitën e tij dyditore në Washington ku tha se agjenda ishte intensive dhe ka paraqitur vizionin e tij për zhvillimin e Kosovës dhe rindërtimin e partneritetit të thellë në mes Kosovës dhe administratës amerikane.

“Dje e përfundova vizitën time të shkurtër dyditore në Washington D.C. Agjenda ishte intensive dhe e konsiderova jetike të paraqes vizionin tim për zhvillimin e Republikës sonë dhe rindërtimin e partneritetit të thellë mes Kosovës dhe administratës amerikane”.

Hamza tha se pas takimeve me zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit, ishte i ftuar edhe në një takim përmbajtjesore nga James Carafano, i sapoemëruar Këshilltar i Lartë i Presidentit dhe E.Ë. Richardson Felloë pranë Fondacionit “Heritage”, institucion i njohur për afërsinë dhe angazhimin në programin qeverisës të Presidentit Trump.

“Në takim ishin edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe menaxher i angazhimit global në Qendrën për Liri “Margaret Thatcher”, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë i çështjeve të sigurisë në këtë fondacion”,shtoi ai.

Hamza tha gjithashtu se është kthyer jashtëzakonisht pozitiv për mundësitë e pashtershme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe SHBA-së, pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik.

“Kosova do të kthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, me investime të prekshme dhe me përfshirjen e SHBA-së në zhvillimin e hovshëm të Kosovës në diplomaci, ekonomi, sektorin e energjisë, ushtri dhe inteligjencë.”/Lajmi.net/