Prokuroria akuzon dy zyrtarë të Komunës së Suharekës se paguan 7 mijë euro për lapidarin që s’u ndërtua kurrë – OVL-UÇK dikur e mohonte këtë
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve A.E dhe L.G, të dy zyrtarë të Komunë së Suharekës, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas kësaj aktakuze, të njëjtit kanë ndarë 7 mijë e 377 euro e 20…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurve A.E dhe L.G, të dy zyrtarë të Komunë së Suharekës, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas kësaj aktakuze, të njëjtit kanë ndarë 7 mijë e 377 euro e 20 cent për ndërtimin e një lapidari në fshatin Studenqan, lapidar që nuk u ndërtua kurrë.
Çka thuhet në aktakuzë:
Sipas aktakuzës, nga data 20.10.2023 e në vazhdim, të pandehurit e lartpërmendur lidhur me projektin për ndërtimin e lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë, të njëjtit duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, ashtu që i pandehuri i parë A.E., në cilësinë e menaxherit të kontratës ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshoj projektin dhe të realizoj punët që nuk kanë qenë në projekt duke ndryshuar projektin gjatë ekzekutimit, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe zyrën e autoritetit kontraktues, ndërsa e pandehura e dytë L.G., mbikëqyrëse e drejtpërdrejte, i ka pranuar të gjitha këto shkelje të menaxherit të kontratës, me qëllim që të mundësojnë përfitim për operatorin ekonomik duke konfirmuar me nënshkrimin e tyre të dhënat e pa vërteta për pagesën e vlerës prej 41.270.00 € si dhe për përfundim të punimeve të datës 22.12.2023 në vlerë prej 7.377.20 € edhe pse nuk është realizuar asnjë punim në ndërtimin e lapidarit në fshatin Studenqan duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.
Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit dhe ndaj personave zyrtar të shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
Çka tha kandidati i LDK-së për kryetar të Suharekës, për këtë lapidar?
Kandidati për kryetar të Suharekës nga LDK, Ardian Shala i cili humbi garën në raundin e dytë të zgjedhjeve, e kishte përmendur këtë lapidar në një debat me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremajn në kallxopërnime.
Ai ka thënë se për këtë lapidar kanë paguar banorët, ndërsa komuna ka hapur tender për këtë
“Nuk do të thotë me luftu për këtë vend dhe me vjedh edhe në lapidare të dëshmorëve. Ja edhe dëshmia që të ka dal në media që ka dal Prokuroria. ‘Studenqan u paguan rreth 7 mijë euro për lapidarin e ndërtuar nga banorët, kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve të Suharekës’. 6 mijë e 900 euro i kanë paguar banorët, komuna ka hapur tender për këtë” – deklaroi Ardian Shala në “Debat Përnime” më 27.10.2025.
Si i mohoi OVL-UÇK këto akuza?
OVL-UÇK, dega në Suharekë përmes një postimi në rrjetin social Faebook, më 28 tetor i ka muhuar këto deklarime të Shalës.
Sipas kësaj dege, buxheti komunal nuk ishte shfrytëzuar për ndërtimin e lapidarit në Studenqan.
“Tenderi i përmendur ka qenë i hapur për tre lapidarë – në fshatrat Dubravë, Vraniq dhe Studenqan. Në rastin e lapidarit të Studenqanit, Komuna e Suharekës nuk ka shpenzuar asnjë cent nga buxheti komunal, pasi organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëndega në Studenqan kanë siguruar donatorë privatë për realizimin e punimeve. Si rrjedhojë, mjetet e tenderit janë përdorur vetëm për rregullimin e lapidarëve në Dubravë dhe Vraniq” – thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së në Suharekë.
Kjo organizatë ka kërkuar nga kandidatët për kryetar të Komunës së Suharekës që mos të përfshijnë në debate politike çështjet që lidhjen me UÇK-në.
“Prandaj, kërkojmë nga të dy kandidatët për kryetar të Komunës së Suharekës që të mos i përfshijnë lapidarët e dëshmorëve dhe martirëve në betejat e tyre politike. Këto simbole të shenjta përfaqësojnë sakrificën më të lartë të popullit tonë për liri dhe pavarësi”, thuhej në reagim. /Lajmi.net/