Rafuna: Liberalizimi i energjisë ka dëmtuar bizneset

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi pas seancës gjyqësore se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike nuk ka shkuar sipas ligjit dhe direktivave evropiane dhe ka shkaktuar dëme materiale për bizneset. Rafuna ka theksuar se vendimet dhe veprimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) kanë shkaktuar dëme materiale për…

Lajme

05/11/2025 14:58

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi pas seancës gjyqësore se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike nuk ka shkuar sipas ligjit dhe direktivave evropiane dhe ka shkaktuar dëme materiale për bizneset.

Rafuna ka theksuar se vendimet dhe veprimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) kanë shkaktuar dëme materiale për komunitetin e bizneseve.

“Fakte të paqëndrueshme dhe vendime që nuk përputhen me ligjin dhe direktivat e BE-së kanë ndikuar drejtpërdrejt në bizneset e Kosovës. Ne argumentuam para trupit gjykues se procesi i liberalizimit nuk është zhvilluar sipas parimeve dhe principëve ligjore, dhe se aktet e ZRRE-së nuk kanë qenë në përputhje me dispozitat ligjore”, ka deklaruar Rafuna.

Sipas tij, njoftimi i ZRRE-së ka pasur efekt material negativ mbi bizneset dhe se organizata që ai drejton beson se gjykata do të shqyrtojë të gjitha provat dhe do të sjellë një vendim të drejtë, që mbron interesat e bizneseve dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.

Deklarata e Rafunës vjen në kuadër të padisë së OEK-ut kundër ZRRE-së, e cila synon anulimin e vendimeve për daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. /rtk