Kurti në Londër: Radoiçiqi ka pranuar përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, kërkojmë mbështetje për anëtarësim në BE dhe NATO

Në Londër po mbahet samiti i Procesit të Berlinit, ku po marrin pjesë gjashtë liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, sikurse edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, kancelari gjerman, Friedrich Merz si dhe liderë tjerë të shteteve të BE-së. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbajti një fjalim para të pranishmëve, ku tha se Serbia nuk po…

Lajme

22/10/2025 18:14

Në Londër po mbahet samiti i Procesit të Berlinit, ku po marrin pjesë gjashtë liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, sikurse edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, kancelari gjerman, Friedrich Merz si dhe liderë tjerë të shteteve të BE-së.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbajti një fjalim para të pranishmëve, ku tha se Serbia nuk po e ndëshkon Millan Radoiçiqin, organizatorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit shtatorin e vitit 2023.

Ai tha se “përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior”.

“Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Millan Radoiçiqi ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha mes tjerash Kurti.

Ai kërkoi specifikisht nga Londra që të ndihmojë në anëtarësimin e vendeve të BP-së në BE, por edhe në NATO.

“Sot, kur kemi luftë në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë. Ne kemi qëllime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta, dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO – këto duhen parë si pika të forta”, theksoi Kurti.