Lidhja e Prishtinës reagon pas sulmit ndaj Fehmi Kupinës: Akt i organizuar, të hetohet nga organet kompetente

Lidhja e Prishtinës ka reaguar pas sulmit ndaj kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina. Kjo iniciativë e dënon ashpër sulmin fizik që i është bërë sot prijësit të kësaj liste zgjedhore. “Ky akt i dhunshëm, i kryer në ambientin e punës, paraqet dështim serioz të mekanizmave të sigurisë dhe është krejtësisht i papranueshëm”,…

Lajme

24/09/2025 16:37

Lidhja e Prishtinës ka reaguar pas sulmit ndaj kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina.

Kjo iniciativë e dënon ashpër sulmin fizik që i është bërë sot prijësit të kësaj liste zgjedhore.

“Ky akt i dhunshëm, i kryer në ambientin e punës, paraqet dështim serioz të mekanizmave të sigurisë dhe është krejtësisht i papranueshëm”, thuhet në reagim.

“Përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve, në çdo nivel të qeverisjes, gëzojnë imunitetin dhe mbrojtjen që u takon me ligj. Siguria e tyre nuk mund të jetë selektive dhe as të varet nga preferenca politike. Dhuna ndaj një përfaqësuesi të popullit është sulm ndaj gjithë procesit demokratik dhe ndaj vlerave që i mbajnë institucionet tona”.

Lidhja e Prishtinës e konsideron këtë akt si të organizuar dhe të paramenduar, dhe kërkon nga organet kompetente hetim të plotë e të paanshëm, si dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë.

“Pavarësisht këtij sulmi të rëndë, Lidhja e Prishtinës, me në krye z. Fehmi Kupina dhe me mbështetjen e 55 kandidatëve tanë për Kuvendin Komunal, mbetet e vendosur në rrugëtimin e saj politik dhe në garën demokratike për Kuvendin Komunal, deri në fitoren e merituar”, thuhet më tej./Lajmi.net/