​Trump vendos tarifë prej 100 mijë dollarësh për vizat H-1B në një veprim të ri për imigracionin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nënshkroi një vendim ekzekutiv për të vendosur një tarifë aplikimi prej 100,000 dollarësh për vizat H-1B – në një përpjekje për të frenuar atë që administrata e tij e quan mbipërdorim të programit. “Ne kemi nevojë për punëtorë të shkëlqyer dhe kjo siguron që kjo është…

Bota

20/09/2025 08:33

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nënshkroi një vendim ekzekutiv për të vendosur një tarifë aplikimi prej 100,000 dollarësh për vizat H-1B – në një përpjekje për të frenuar atë që administrata e tij e quan mbipërdorim të programit.

“Ne kemi nevojë për punëtorë të shkëlqyer dhe kjo siguron që kjo është ajo që do të ndodhë”, tha Trump nga Zyra Ovale, ku zyrtarët detajuan se si masa do t’i nxiste kompanitë të punësonin punëtorë amerikanë, ndërkohë që do të ofronte një rrugë për të punësuar punëtorë të huaj shumë të kualifikuar në fusha të specializuara.

Shpallja do të kufizojë hyrjen në program, përveç nëse shoqërohet me pagesën, shkruan CNN.

Në një urdhër të veçantë, Trump drejtoi gjithashtu krijimin e një rruge imigracioni me “kartë ari”, e cila, sipas tij, do të përshpejtonte vizat për disa emigrantë në këmbim të një tarife të majme. Politika do të përshpejtojë vizat për të huajt që paguajnë 1 milion dollarë amerikanë, ndërkohë që i lejon një kompanie të paguajë 2 milionë dollarë për të përshpejtuar procesin për një punëtor të huaj që ajo sponsorizon.

Këto lëvizje shënojnë përpjekjet më të fundit në një seri përpjekjesh nga administrata për të goditur imigracionin dhe për të vendosur kufizime të reja të ashpra mbi llojet e të huajve që lejohen të hyjnë në vend. Ato kërcënojnë të ndikojnë ndjeshëm në industritë që varen shumë nga punëtorët H-1B.

Viza H-1B është një vizë pune që është e vlefshme për tre vjet dhe mund të rinovohet për tre vjet të tjera. Ekonomistët kanë argumentuar se programi u lejon kompanive amerikane të ruajnë konkurrencën dhe të rrisin biznesin e tyre, duke krijuar më shumë vende pune në SHBA, transmeton KosovaPress.

Sekretari i Tregtisë Hoëard Lutnick u tha gazetarëve në një telefonatë të premten në mbrëmje se administrata arriti në tarifën prej 100,000 dollarësh në vit, plus kostot e verifikimit, pasi bisedoi me kompanitë.

Ai vuri në dukje se struktura e pagesës është ende në diskutim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare, për sa i përket “nëse do të ngarkojmë 300,000 dollarë paraprakisht apo 100,000 dollarë në vit për tre vitet”.