SHBA nis rishikimin e pranisë ushtarake në Evropë, Uashingtoni kërkon që NATO të marrë më shumë përgjegjësi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një rishikim të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, në një lëvizje që synon të shtyjë aleatët evropianë të marrin një rol më të madh në mbrojtjen e kontinentit. Vendimi vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka intensifikuar kritikat ndaj vendeve evropiane për kontributin e…

Bota

28/07/2026 10:24

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një rishikim të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, në një lëvizje që synon të shtyjë aleatët evropianë të marrin një rol më të madh në mbrojtjen e kontinentit. Vendimi vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka intensifikuar kritikat ndaj vendeve evropiane për kontributin e tyre në NATO.

Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes, Elbridge Colby, tha se procesi synon të përshpejtojë kalimin e përgjegjësisë së mbrojtjes konvencionale nga SHBA-ja te aleatët evropianë.

“Vendimi është i hartuar për të siguruar që NATO po lëviz shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt marrjes së përgjegjësisë kryesore për mbrojtjen e saj konvencionale nga Evropa”, shkroi Colby në platformën X.

Ai shtoi se “rezultati i këtij shqyrtimi do të jetë një përshpejtim i tranzicionit të NATO-s drejt një aleance më të fortë, më të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Ky zhvillim pason deklaratat e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili muajin e kaluar në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel paralajmëroi se Uashingtoni do të rishikonte praninë e tij ushtarake në Evropë.

“Ky do të jetë një rishikim i vërtetë. Do të jetë i hartuar për të siguruar që NATO po lëviz shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt Evropës, duke u përpjekur të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e Evropës”, u tha Hegseth homologëve të tij.

Ai paralajmëroi gjithashtu se “është një rishikim që disa vende do të dështojnë dhe të tjerat do ta kalojnë me sukses të plotë”.

Në fjalimin e tij në selinë e NATO-s në Bruksel, Hegseth përsëriti kritikat e presidentit Trump ndaj aleatëve evropianë, duke i akuzuar për mungesë mbështetjeje gjatë operacioneve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Ai kritikoi edhe refuzimin e disa vendeve për të lejuar përdorimin e bazave ushtarake amerikane në Evropë për kryerjen e sulmeve.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes paralajmëroi gjithashtu se Uashingtoni mund të reduktojë kontributin financiar në NATO nëse aleatët nuk përmbushin objektivat për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje.

Lajmi është pritur me shqetësim në Evropë, megjithëse një tërheqje graduale e trupave amerikane ishte paralajmëruar prej kohësh. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha muajin e kaluar se aleatët kanë qenë të vetëdijshëm për planet e SHBA-së dhe se Evropa duhet të jetë e aftë të garantojë vetë sigurinë e saj.

“Ne e dimë se duhet të bëjmë më shumë dhe po e bëjmë këtë”, deklaroi Merz.

Në muajt e fundit, vendet evropiane dhe Kanadaja kanë shtuar investimet në mbrojtje për të forcuar kapacitetet ushtarake, ndërsa Bashkimi Evropian dhe NATO kanë intensifikuar bashkëpunimin.

Përpara samitit të NATO-s në Ankara, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksuan se Aleanca duhet të mbështetet më shumë te kapacitetet evropiane.

“Nuk mund të vazhdojmë, siç bëmë më parë, të mbështetemi tepër te Shtetet e Bashkuara. Na duhet një Evropë shumë më e fortë brenda një NATO-je më të fortë”, tha Rutte, duke e cilësuar bashkëpunimin e zgjeruar mes BE-së dhe NATO-s si një transformim “të pakrahasueshëm”.