Analisti Halil Matoshi ka reaguar ashpër lidhur me situatën politike në vend, duke akuzuar shumicën qeverisëse për cenim të rendit kushtetues dhe përpjekje për të mbivendosur vullnetin politik mbi ligjin themelor të Republikës.
Sipas tij, “shteti kosovar është nën sulmet leftiste-anarkiste”, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje po tenton të diktojë drejtimin institucional përtej kufijve kushtetues.
“Nuk është Programi i Vetëvendosjes, por Kushtetuta e Kosovës ajo që përcakton të drejtat dhe liritë e shtetasve”, thekson Matoshi, duke shtuar se shumica aktuale po shkel edhe të drejtat e pakicave. Ai kritikon edhe Presidenten Vjosa Osmani, duke thënë se “është në fund të mandatit të saj dhe ka mbetur vetëm si komentatore nga ballkoni i Albin Kurtit”, transmeton lajmi.net.
Matoshi thotë se refuzimi për të votuar kandidatin e Listës Serbe për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit është shkelje e Kushtetutës dhe precedent i rrezikshëm. “Shumica etnike po përpiqet të vërë veto mbi të drejtat kushtetuese të pakicave. Kjo është një mbivendosje e vullnetit të shumicës ndaj të drejtave të garantuara për minoritetet”, shkruan ai, duke përmendur edhe analogjinë me vitin 2021, kur Vetëvendosje kishte votuar kandidatin e Listës Serbe për të njëjtin post.
Ai përmbyll se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ligjërisht, pasi nuk janë zgjedhur dy nënkryetarët nga radhët e pakicave, siç kërkohet nga Neni 67 i Kushtetutës dhe Neni 12 i Rregullores së Kuvendit. “Çdo devijim nga fryma dhe germa e Kushtetutës është arbitraritet dhe rrezikim i rendit kushtetues”, përfundon Matoshi.
Postimi i plotë:
Shteti kosovar nën sulmet leftiste – anarkiste
Âsht fakt se hala Kushtetuta e Kosovës e jo Programi i Lëvizjes Vetëvendosje përcakton të drejtat dhe liritë e shtetasve.
Âsht fat qe Presidentja Vjosa Osmani nuk ka mâ asnjigjâ në dorë – tue qenë gjatë jashtë mandatit të saj kushtetues – e tue metun me komentu nga nji ballkon telef i Albin Kurtit, e pafuqi për ndonji lëvizje ma serioze antishtet, ajo sapo paralajmnoi se âsht në garë politike por pa aurën e Raison d’Ètat!
1.
Sëkëndejmi âsh njashtu fat që opinioni politik i Vjosa Osmanit âsht nul dhe nuk prodhon asnji efekt juridik.
Osmani tue qenë Presidente e tue përdor resurset nacionale në dâm të vetpërmbajtjes institucinale, tue lexu postulate që dolën nga fjalimi i Kurtit në Këshillin Qendror të VVsë, e ka cënu rând Nenin 83, përfaqësimin e unitetit të popullit të Republikë së Kosovës (ajo i përfaqëson edhe pakicat në nji shoqni konsociale), ndaj e ka lëndu edhe Nenin 84.2, garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve!?
2.
Tue qenë se Presidentja âsht thirrë në Nenin 57. Pika 4 e Kushtetutës, për me e alarmu publikun shqiptar, për kinse veton e nji partie të nji pakice etnike, e për stigmatizim të Listës Serbe, duhet me ia kujtu asaj se partia ma e madhe që përfaqëson komunitetin serb, ka propozu kandidatin e saj për Nënkryetar të Kuvendit konform Kushtetutës, Nenit 67 dhe Rregullores së Kuvendit, Neni 12 pika 6.1, tue përmbushë rolin kushtetues dhe ligjor, porse nuk ka marrë votat e shumicës së duhun, prej 61 deputetësh.
Sëkëndejmi, âsht kristalshëm e kjartë se shumica etnike dhe parlamentare (demokratike) mbetët bllokuesja e institucioneve, me tendencë me vú veto në të drejtat e garantueme të pakicave (në emnin e propozuem nga Lista Serbe.)
3.
Simas frymës së Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese (2014 dhe 2025) si dhe PRAKTIKAVE të mëparshme, partia qe ka me se shumti mandate në Kuvend, krahas DETYRIMIT me mbrri shumicën pre 61 vota për zgjedhjen e Kryetarit dhe tre Nënkryetarëve të shumicës- me marrëveshje në mirëbesim – DETYROHET me ua votu dy Nënkryetarët pakicave, që i kanë veç 20 vota në Kuvend (e duhet t’i bëjnë 61) dhe këta, në PAKO e jo kurrsei damas me pakicen joserbe;
Këtu edhe vjen tek shkelja e parë Kushtetuese!
Më 2021 (kryesues po ky Avni Dehar!!!) Lëvuzja Vetëvendosje ka votu Slavko Simiċin e Listës Serbe për Nënkryetar Kuvendi, kyr Nënkryetar partie ishte i akuzuemi për terrorizëm, Milan Radojčić.
4.
Simas analogjisë, nëse partia që ka fitu ma së shumti vende në Kuvend, propozon Kryetarin e Kuvendit (verdikti i Gjykatës Kushtetuese, 2014) shumica e pakicave, propozon Nënkryetarin dhe askush tjetër: Nenet 44 dhe 45, liria e asociimit dhe liria me zgjedhë e me kânë i zgjedhun, si dhe Ligjit mbi zgjedhjet dhe veçmas simas frymes se Kushtetutës, bartun në Nenin 12 pika 6.1 të Rregullores së Kuvendit!?
Po të mos i takonte Nënkryetari partisë që ka fitu shumicën e vendeve në Kuvend nga komuniteti serb – simas analigjisë – pse me u taku Nënkryetarët VVsë, PDKsë e LDKsë e jo AAKsë apo Nisma-s ta zâmë?
Simas te ciles ligjikë?
5.
Sëkëndejmi, Lista Serbe ka garu ne zgjedhjet me ligjet e Kosovës dhe âsht çertifiku nga KQZ (madje me forcëne Ligjit tue u sitë nga Gjykata Supreme e Kosovës) dhe ka fitu të drejten e shumicës nga komuniteti serb me propozu pushtet (zgjedhjet mbahet per pushtet simas parimit të shumicës!?), pra me propozu Nënkryetarin e Kuvendit;
Kjo nuk i jep te drejtën Nenad Rašičit nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, me u (vet)propozu!
Dhe kjo e çoi Kryetarin e zgjedhun të Kuvendit, Dimal Bashën, tek shkelja e dytë abuzive e Kushtetutës.
Fundamentalisht, kjo e shtron çâshtjen përse garohet në zgjedhje të lira pos me dalë e para dhe me derivu pushtet?
6.
Prandej, Kuvendi NUK ÂSHT KONSTITUU, simas Nenit 67 pika 4 të Kushtetutës dhe Nenit 12, Pika 6.1 e Rregullorës së Kuvendit (e miratueme nga kjo shumicë, Vetëvendosje.)
Ashiqare që Seanca konstituive e Kuvendit nuk âsht përmbyllë dhe Gykata Kushtetuese, tue pasë parasyshë të drejtat e garantueme të komunitetit serb, njiherë të mbrrime, e rikthen Seancën në Pikën 4 të Rendit të Ditës: zgjedhja në pako e dy nënkryetarëve nga pakicat që kanë vende të garantueme në Kuvend.
Çdo devijim nga fryma dhe germa e Kushtetutës âsht mbivendosje e shumicës etnike ndaj të drejtave që u PËRKASIN pakicave dhe arbitraritet, sëkëndejmi rreknen rendin kushtetues të Kosovës./lajmi.net/