“10 plumba mbi trupin e viktimës”- I dyshuari për vrasjen në Podujevë ende në arrati, Prokuroria thotë se po kërkohet intensivisht

Një vrasje e rëndë tronditi sërish vendin vikendin që lamë pas. Pikërisht të shtunën, të shtëna me armë zjarri u dëgjuan në fshatin Llapashticë të Podujevës. Si shkak i këtyre të shtënave humbi jetën 44 vjeçari, Bashkim Spahiu nga fshati Gllamnik i kësaj komune. Në lidhje me këtë rast të rëndë, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë…

Lajme

08/09/2025 11:04

Një vrasje e rëndë tronditi sërish vendin vikendin që lamë pas.

Pikërisht të shtunën, të shtëna me armë zjarri u dëgjuan në fshatin Llapashticë të Podujevës.

Si shkak i këtyre të shtënave humbi jetën 44 vjeçari, Bashkim Spahiu nga fshati Gllamnik i kësaj komune.

Në lidhje me këtë rast të rëndë, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore të Prishtinës të cilët njoftuan se i dyshuari vazhdon të jetë në arrati.

I dyshuar në këtë rast është Arbër Havolli, 32 vjeç.

Nga Prokuroria po ashtu thanë se prokurori i shtetit në koordinim me policinë me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, për rastin e ndodhur me datë 06/09/2025, prokurori i shtetit në koordinim me policinë kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore. Trupi i viktimës B.S., është dërguar për në obduksion, ndërsa motivet dhe rrethanat e ngjarjes janë ende duke u hetuar”,thuhet në përgjigje.

Duke mos dhënë detaje shtesë në lidhje me rastin, nga Prokuroria theksuan se i dyshuari po kërkohet në mënyrë të intensifikuar nga organet e rendit.

“Personi i dyshuar i cili ka kryer veprën penale ”Vrasje” bazuar nga neni 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës A.H., gjendet ende në arrati dhe po kërkohet në mënyrë të intensifikuar nga organet e rendit. Për momentin këto janë informacione për çdo zhvillim të re ju njoftojmë me kohë”,shtohet tutje.

Ndryshe siç u raportua ditë më parë, viktima është qëlluar me 10 plumba brenda një veture të tipit “Opel”ku gjendej bashkë me të dyshuarin në momentin e ngjarjes.

I dyshuari në këtë rast, Arbër Havolli ishte parë edhe në një video të publikuar derisa gjuante me armë zjarri në një ambient të hapur, pra në ambient publik e me armë në brez.

Pas ngjarjes tragjike, Policia e Kosovës ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit./Lajmi.net/