Qeveria e Kosovës mohon çdo lidhje me të dyshuarën për spiunazh në Kroaci: “Nuk ka pasur qasje në informacione konfidenciale”

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas raportimeve për përfshirjen e një shtetaseje serbe nga Mitrovica, me inicialet A.M., e arrestuar në Kroaci për dyshime për spiunazh për llogari të Serbisë. Ai mohoi çdo pretendim për lidhje të saj me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, transmeton lajmi.net “Në krye të herës duam…

Lajme

28/08/2025 16:59

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas raportimeve për përfshirjen e një shtetaseje serbe nga Mitrovica, me inicialet A.M., e arrestuar në Kroaci për dyshime për spiunazh për llogari të Serbisë.

Ai mohoi çdo pretendim për lidhje të saj me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, transmeton lajmi.net

“Në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave, të cilat përbëhen nga të emëruar politikë,” tha Kryeziu. Ai theksoi se qasja në informacione konfidenciale është “strikt e kufizuar” dhe nuk mund të ketë ndodhur asnjë rrjedhje nga brenda.

Zëdhënësi kujtoi se Serbia ka rritur aktivitetet e saj të inteligjencës në Kosovë pas humbjes së kontrollit në veri të vendit dhe përmendi disa raste të mëparshme të arrestimeve për spiunazh. “Viteve të fundit, Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit… Ne vazhdimisht kemi ngritur në publik shqetësimet tona mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës,” shtoi ai.

Në përfundim, Kryeziu tha se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës janë të gatshme të bashkëpunojnë me autoritetet kroate për zbardhjen e plotë të rastit. “Institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit,” përfundoi ai.

Postimi i plotë:

Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar.
Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit.
Viteve të fundit, si pasojë e humbjes së kontrollit në veri përmes rrjetit kriminal të udhëhequr nga Millan Radojiçiq, Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit dhe ne vazhdimisht kemi ngritur në publik shqetësimet tona mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës. Ju kujtojmë se në muajin korrik një toger i Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, ishte arrestuar mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti. Kurse në shkurt ishte arrestuar një person tjetër mbi dyshime për spiunazh, po ashtu e etnisë serbe, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë. Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po i kundërvihen përpjekjeve të dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë.
Duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit./lajmi.net/