Barcelona po eksploron mundësinë për transferimin e Neymarit gjatë verës

Barcelona ka nisur të planifikojë për afatin kalimar të verës, me drejtorin sportiv, Deco që prioritet e ka përforcimin e anës së majtë të sulmit. Ai është goxha i interesuar për të sjellë një konkurrues të fortë për Raphinhan, me Rafael Leaon, Luis Diazin e Nico Williamsin që janë përmendur për atë pozitë. Diaz duket…

Sport

27/02/2025 23:37

Barcelona ka nisur të planifikojë për afatin kalimar të verës, me drejtorin sportiv, Deco që prioritet e ka përforcimin e anës së majtë të sulmit.

Ai është goxha i interesuar për të sjellë një konkurrues të fortë për Raphinhan, me Rafael Leaon, Luis Diazin e Nico Williamsin që janë përmendur për atë pozitë.

Diaz duket se është lojtari i preferuar i Decos për atë pozitë, por po konsiderohen edhe mundësi të tjera.

Punimet kanë nisur në ata lojtarë që Barcelona po i konsideron për të nënshkruar, por ndër ta parashihet të jetë edhe Neymar Jr, i cili mund të rikthehet te ish-klubi i tij, tetë vite pas largimit.

Neymar i cili u transferua te PSG-ja më 2017 për shumën e 222 milionë eurove, pak javë më parë u largua nga Al-Hilal për t’iu bashkuar Santosit deri në verë.

33-vjeçari ende e sheh veten që mund të konkurrojë në nivelet më të larta të futbollit, andaj e dëshiron rikthimin në Europë, me Barcelonën si destinacionin e preferuar.

Sipas “The Athletic” bisedimet veçse kanë nisur mes kampit të lojtarit brazilian dhe përfaqësuesve të Barcelonës, për një marrëveshje për verë.

Një marrëveshje do të ishte në favor të katalunasve, pasi nuk do të paguanin fare për transferimin e tij, mirëpo klubit blaugranas i duhet t’i ofrojë atij një pagë të ulët, duke marrë parasysh rreziqet që vijnë me nënshkrimin e tij.

Neymari dëshiron me çdo kusht që të jetë pjesë e Kupës së Botës të vitit 2026, andaj për të arritur formën më të mirë, ai dëshiron të luajë në Europë.

Agjenti i Neymarit është Pini Zahavi, i cili e përfaqëson edhe Hansi Flickun, dhe po ashtu ka një marrëdhënie të mirë me presidentin e Barcelonës, Joan Laporta.

Duke marrë parasysh këto gjëra, atëherë nuk është “larg mendjes” që një marrëveshje e tillë të ndodh qysh në verë.