Haxhi Avdyli nuk e përjashton koalicionin me Fatmir Limaj: Deklarata e tij është deklaratë e pjekur politike, një deklaratë e një politikani me përvojë

Kosova mbajti zgjedhjet parlametare me 9 shkurt për të zgjedhur përfaqësuesit në Kuvendi e Kosovës dhe rrjedhimisht edhe qeverinë e ardhshme të vendit. Procesi i numërimit të votave ka përfunduar, teksa KQZ po numëron votat e diasporës. Nga rezultatet preliminare e para doli LVV me 40.90% të votave, e pasuar nga PDK me 22.03%, LDK…

Lajme

27/02/2025 18:16

Kosova mbajti zgjedhjet parlametare me 9 shkurt për të zgjedhur përfaqësuesit në Kuvendi e Kosovës dhe rrjedhimisht edhe qeverinë e ardhshme të vendit.

Procesi i numërimit të votave ka përfunduar, teksa KQZ po numëron votat e diasporës.

Nga rezultatet preliminare e para doli LVV me 40.90% të votave, e pasuar nga PDK me 22.03%, LDK me 17.64% teksa AAK-Nisma me 7.46%.

Haxhi Avdyli nga Partia Guxo që doli fituese me koalicionin e LVV dhe Alternativa tha se koalicioni i tyre po pret përfundimin dhe çertifikimin e votave për të parë mundësitë e krijimit të qeverisë së re.

“Është çështje ditësh kur do ta kemi rezultatin përfundimtar. Deri me 5 mars dihet çdo gjë se sa mandate kemi. Një është e sigurtë që kryeministri i tanishëm do jetë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Pas një jave dihet rezultati dhe mundësitë tona ne do të shikojmë se ku jemi me rezultat, jemi shumë afër ta sigurojmë formimin e qeverisë me votat e koalicionit tonë, por të presim deri në përfundimin e procesit”, tha fillimisht Avdyli për lajmi.net.

Avdyli tutje komentoi edhe deklaratën e Fatmir Limajt i cili para pak ditësh u shpreh i hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që e ftojnë për siç tha ai temat nacionale dhe të mirën e vendit.

Anëtari i Guxo tha se kjo deklaratë e Limajt është deklaratë e një politikani me përvojë dhe me pjekuri të lartë politike.

“Deklarata e tij është deklaratë e pjekur politike, një deklaratë e një politikani me përvojë i cili ka një interes që proceset në Kosovë të ecin dhe të mos bllokohen dhe mendoj që kjo gjuhë dhe kjo frymë e të bërit politikë duhet përshëndetur dhe është e nevojshme për hapat e mëtutjeshëm në Kosovë. Unë mirëpres edhe nga partitë e tjera një gjuhë të tillë edhe nga ish partia ime LDK, mendoj që një gjuhë e tillë i ndihmon situatës politike në vend dhe proceseve që na presin përpara”, përfundoi Avdyli për lajmi.net.

Kujtojmë se sot po numërohen votat e diasporës nga përfaqësitë diplomatike.

Këto vota pritet të numërohen sot për të vazhduar me vota të tjera. Deri më tani nga votat e numëruara LVV prinë bindshëm me 81.89% apo 3305 vota, LDK është e dyta me 7.21% të votave apo 291 vota, PDK e treta me 5.75% të votave apo 232 sosh, kurse AAK ka grumbulluar 62 vota apo 1.54%.