Kthesë e frikshme tek tragjedia në Poloni: 25-vjeçari i magjepsur pas ekstremit të djathtë dyshohet se vrau familjen para se të kryente sulmin

Hulumtimet për sulmin e përgjakshëm në qendrën historike të Krakovit në Poloni po vazhdojnë, ndërsa autoritetet kanë zbuluar detaje të reja për personin e dyshuar. Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, ka deklaruar se 24-vjeçari kishte pikëpamje shumë radikale dhe se gjithçka tregon për një afërsi të tij me ideologjitë e ekstremit të djathtë. Ndërkohë,…

Bota

07/11/2026 23:10

Hulumtimet për sulmin e përgjakshëm në qendrën historike të Krakovit në Poloni po vazhdojnë, ndërsa autoritetet kanë zbuluar detaje të reja për personin e dyshuar.

Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, ka deklaruar se 24-vjeçari kishte pikëpamje shumë radikale dhe se gjithçka tregon për një afërsi të tij me ideologjitë e ekstremit të djathtë. Ndërkohë, policia dhe Agjencia e Sigurisë së Brendshme kanë nisur kontrollet edhe në shtëpinë e tij, transmeton lajmi.net.

Kush është i dyshuari?

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat polake, i dyshuari është shtetas polak, 25-vjeçar, nga qyteti Ostrowiec Świętokrzyski.

Policia ka bërë të ditur se ai nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe se posedonte leje për armëmbajtje.

Sipas informacioneve të transmetuara nga RMF24, ai dyshohet se përdori një pushkë të tipit AR-15, ndërsa gjatë sulmit ishte i veshur me rroba kamuflazhi, të ngjashme me uniformat ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Władysław Kosiniak-Kamysz, ka mohuar raportimet se sulmuesi ishte pjesëtar i ushtrisë polake.

“Burri nuk ka qenë dhe nuk është ushtar i Forcave të Armatosura Polake dhe nuk ka pasur asnjëherë lidhje me ushtrinë”, deklaroi ministri.

Çfarë u gjet në veturën e tij dhe çfarë zbuluan autoritetet në shtëpinë e të dyshuarit?

Hetimet për sulmin në Krakov kanë marrë një kthesë edhe më të rëndë pas zbulimeve të fundit në banesën e të dyshuarit. Përveç armëve dhe municionit të gjetur në veturën me të cilën ai kreu sulmin, kryeministri polak, Donald Tusk, ka bërë të ditur se në shtëpinë e 25-vjeçarit janë gjetur edhe tre persona të vdekur: dy gra dhe një burrë, që dyshohet se janë anëtarë të familjes së tij.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia për televizionin Polsat News. Trupat janë gjetur në banesën e tij në qytetin Ostrowiec Świętokrzyski, ku pas zbulimit të rastit janë angazhuar njësitë kundërterroriste. Sipas raportimeve të Radio Kielce, gjatë operacionit është evakuuar edhe ndërtesa e banimit, ndërsa policia ka kryer kontrolle të hollësishme në pronën e të dyshuarit.

Sa i përket veturës, zëdhënësja e Policisë së Malopolska-s, Katarzyna Cisło, ka konfirmuar se aty janë sekuestruar disa armë të tjera dhe një sasi e konsiderueshme municioni. Në bagazhin e automjetit, sipas raportimeve të mediave polake, janë gjetur edhe një çantë ushtarake, pajisje të tjera taktike dhe një bajonetë.

Një tjetër detaj që po hetohet lidhet me pronësinë e armëve. Sipas portalit polak Onet, vetura ishte e regjistruar në emër të babait të të dyshuarit, një 52-vjeçar, i cili posedonte leje për 11 armë zjarri. Ndërkohë, raportimet e Wirtualna Polska thonë se edhe vetë i dyshuari kishte leje për armëmbajtje dhe posedonte dy armë të regjistruara në emrin e tij.

Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse armët e përdorura dhe ato të gjetura në veturë ishin marrë nga shtëpia familjare, si dhe nëse ekziston ndonjë lidhje mes vrasjeve të zbuluara në banesë dhe sulmit në Krakov.

Ministri i Brendshëm: Kishte pikëpamje radikale

Në konferencën për media të mbajtur të shtunën në mbrëmje, ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, tha se hetuesit po shqyrtojnë bindjet ideologjike të sulmuesit.

“Gjithçka tregon se ai ishte i magjepsur nga ideologjitë e ekstremit të djathtë”, deklaroi Kierwiński.

Megjithatë, ministri theksoi se ky aspekt ende duhet të verifikohet gjatë hetimeve dhe se nuk është përcaktuar përfundimisht motivi i sulmit.

Ai bëri të ditur se po shqyrtohet nëse sulmuesi ishte i frymëzuar nga ndonjë person apo grup tjetër dhe nëse kishte bashkëpunëtorë.

Autoritetet, deri tani, besojnë se ai ka vepruar i vetëm.

Çfarë u tha në konferencën për media?

Në konferencën e mbrëmjes morën pjesë ministri i Brendshëm Marcin Kierwiński, ministri i Mbrojtjes Władysław Kosiniak-Kamysz, ministri i Drejtësisë Waldemar Żurek dhe kryetari i Krakovit, Łukasz Gibała.

Sipas të dhënave të prezantuara nga ministri i Brendshëm:

  • Gjashtë persona kanë humbur jetën, katër gra dhe dy burra.

  • 15 persona janë plagosur nga sulmi.

  • Në mesin e të plagosurve janë edhe dy policë.

  • Njëri nga policët ndodhet në gjendje shumë të rëndë, me tri plagë nga armët e zjarrit.

  • Të plagosurit janë dërguar në gjashtë spitale të Krakovit.

  • Një pjesë e të plagosurve janë shtetas të huaj.

Ministri bëri të ditur se 13 persona ishin klasifikuar me kodin e kuq, që nënkupton rrezik të lartë për jetën.

Ndërkaq, vetë sulmuesi është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë dhe ndodhet në spital, ku i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.

Policia reagoi brenda 23 sekondave

Një tjetër detaj i bërë publik nga autoritetet lidhet me kohën e reagimit të policisë.

Pas raportimeve për vonesa të mundshme në ndërhyrje, Policia e Malopolska-s ka reaguar duke mohuar këto pretendime.

Sipas komunikatës së saj, patrulla e parë policore kishte nisur ndërhyrjen vetëm 23 sekonda pas marrjes së njoftimit.

Ndërsa ministri Kierwiński deklaroi se policët kishin qëlluar drejt sulmuesit tri minuta pas marrjes së alarmit.

Ai vlerësoi se reagimi i shpejtë i policisë kishte parandaluar pasoja edhe më të rënda.

Polonia shpall zi kombëtare

Pas tragjedisë, presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka nisur procedurën për shpalljen e zisë kombëtare, e cila pritet të jetë në fuqi më 8 dhe 9 nëntor.

Edhe autoritetet lokale në Krakov kanë shpallur ditë zie deri më 11 nëntor.

Ndërkohë, kryeministri Donald Tusk ka deklaruar se po informohet vazhdimisht për zhvillimet dhe ka vlerësuar reagimin e policisë.

Hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e prokurorisë, ku janë angazhuar shtatë prokurorë nga tri njësi të ndryshme, përfshirë një departament të Prokurorisë Kombëtare.

Çfarë mbetet ende e paqartë?

Pavarësisht informacioneve të publikuara deri më tani, disa aspekte të rëndësishme të rastit mbeten ende pa përgjigje zyrtare. Autoritetet nuk kanë përcaktuar motivin e saktë që e shtyu të dyshuarin të kryente sulmin, ndërsa nuk dihet ende se çfarë është gjetur gjatë kontrollit në shtëpinë e tij.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse 24-vjeçari kishte kontakte me persona apo grupe që përkrahin ideologji ekstremiste, nëse sulmin e kishte planifikuar paraprakisht dhe nëse të gjitha armët e sekuestruara ishin të regjistruara ligjërisht.

Ndonëse autoritetet kanë konfirmuar se i dyshuari posedonte leje për armëmbajtje, kjo nuk dëshmon se edhe armët e tjera të gjetura në automjet ishin të ligjshme.

Hetimet pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, në përpjekje për të zbardhur plotësisht motivin, përgatitjet dhe rrethanat e sulmit./lajmi.net/