Gati në fund të listës së VV-së mbetën Enver Dugolli e Hydajet Hyseni, ministrja Hajdari bashkë me “blogerin” Luan Gacaferi e analistin Raci

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit u nisën me idenë se do t’i marrin 500 mijë vota apo thënë qartë 500 mijë zemra siç edhe bënin thirrje në tubimet e tyre elektorale. Të udhëhequr nga lideri i tyre Albin Kurti, edhe kandidatët e kësaj partie deklaroheshin për 500 mijë vota. Por rezultatet dolën ndryshe.…

Lajme

19/02/2025 09:53

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit u nisën me idenë se do t’i marrin 500 mijë vota apo thënë qartë 500 mijë zemra siç edhe bënin thirrje në tubimet e tyre elektorale.

Të udhëhequr nga lideri i tyre Albin Kurti, edhe kandidatët e kësaj partie deklaroheshin për 500 mijë vota.

Por rezultatet dolën ndryshe.

Në fakt Vetëvendosje nga rezultati i votave të numëruara për subjektet politike mori 40.84 %, apo përkthyer në vota 341672 vota.

E kjo përqindje e heq mundësinë që kjo parti të drejtojë vendin e vetme, pa koalicion.

Madje edhe nëse pritet llogaritja e votave me kusht edhe ato nga diaspora sërish përqindja do të jetë e ulët për të qeverisur vetëm.

Por tani që KQZ thuajse ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për kandidatët përkatës të të gjitha partive mund të shihet se në fakt qytetarët nuk votuan shumë prej atyre që “krekoseshin” se do të fitojnë bindshëm në këto zgjedhje.

Larg në listë mbetën edhe emra që për shumë gjatë kanë pasur rol kyç në Vetëvendosje, siç janë: Hysen Durmishi, Ismajl Kurteshi, Enver Dugolli, Mytaher Haskuka e Hydajet Hyseni-Kaloshi.

E natyrisht se në fund të listës siç edhe pritej mbeti i “famshmi” i Listës Guxo që në kandidim ishte në kuadër të koalicioni Guxo-Vetëvendosje, Luan Gacaferi.

Gacaferi i cili në fillim njihej si “bloger”, e më pas doli se më tepër merrej me statuse e ofendime në Facebook mori veç 3 mijë e 699 vota.

Siç duket Gacaferi nuk u përkrah shumë për atë që shpërfaqte në kuadër të partisë së tij, ofendimin, linçimin e tentimin për degradim të figurave të rëndësishme në vend.

Larg në listën e Vetëvendosjes mbeti edhe ministrja e përfolur për skandalin e rezervave shtetërore Rozeta Hajdari.

Hajdari mori veç 10 mijë vota. E po ashtu larg mbeti edhe Gramos Agusholli, Daulina Osmani, Agon Batusha, Ardian Gola e Gazmir Raci./Lajmi.net/