Hovenier: Plotësisht e vërtetë se kemi pasur dallime serioze me këtë qeveri
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përsëriti qëndrimin se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është i palëkundur. Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, populli i saj dhe qeveria amerikane e kanë mbështetur Kosovën, po e mbështetin dhe do ta mbështesin vendin. “E dini, dëshiroj të them se kjo pyetje bëhet…
Lajme
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përsëriti qëndrimin se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është i palëkundur.
Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, populli i saj dhe qeveria amerikane e kanë mbështetur Kosovën, po e mbështetin dhe do ta mbështesin vendin.
“E dini, dëshiroj të them se kjo pyetje bëhet shpesh. Më duket se shumë kosovarë duan të kenë ekuivalentin e vizitës te psikologu dhe të shtrirjes në një divan dhe të një seance psiko-analitike. Por, dëshiroj t’i them disa gjëra. Njëra, përkushtimi i popullit të Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës është i vendosur dhe i palëkundur. Dhe populli i Shteteve të Bashkuara dhe qeveria amerikane e mbështesin Kosovën. E kemi mbështetur, po e mbështesim, do ta mbështesim”, tha Hovenier në Rubikon të Klan Kosovës.
Hovenier, i cili këtyre ditëve e përfundon misionin në Kosovë, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur nganjëherë dallime serioze me Qeverinë Kurti, derisa theksoi se kur ka pengesa në bashkëpunim është më e vështirë që SHBA-të të jenë efektive në mbështetjen e tyre për Kosovën.
“Është plotësisht e vërtetë që nganjëherë kemi pasur disa dallime, madje dallime serioze, me këtë Qeveri dhe mendoj se kjo ka pasur ndikim. Por kjo nuk është çështje e Shteteve të Bashkuara dhe e Kosovës, kjo është një çështje, do të thosha, e miqve të Kosovës. Pikërisht këtë javë, Bashkimi Evropian, Këshilli për Çështjet e Përgjithshme doli me konkluzionet e tij që gjithashtu folën për shpresat e tyre për Kosovën dhe çka shpresojnë dhe dëshirojnë të shohin”.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se populli i Kosovës më të vërtetë, përnjëmend dëshiron të integrohet në Evropë, t’i bashkohet Bashkimit Evropian, të anëtarësohet në NATO, të zërë vendin e tij në familjen e kombeve evropiane – edhe pse ju tashmë po e bëni këtë në shumë mënyra. Ne e mbështesim atë 100% dhe kemi qenë krah jush në përpjekjet tuaja për ta arritur atë”, tha Hovenier.