Kandidatët certifikohen për zgjedhje sipas KGJK-së, asnjëri nga 1 mijë e 280 kandidatët thuhet se nuk bie ndesh me ligjin

Një mijë e 280 kandidatë për deputetë nga 28 subjekte politike i janë nënshtruar verifikimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëse ndonjëri prej tyre “është dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”. Një mijë e 280 kandidatë për…

Lajme

19/12/2024 15:28

Një mijë e 280 kandidatë për deputetë nga 28 subjekte politike i janë nënshtruar verifikimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëse ndonjëri prej tyre “është dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”.

Një mijë e 280 kandidatë për deputetë nga 28 subjekte politike i janë nënshtruar verifikimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëse ndonjëri prej tyre “është dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”.

Pas këtij kontrolli, asnjë nga kandidatët e subjekteve politike nuk është pjesë e “listës së zezë” që do t’ia pamundësonte certifikimin si kandidat për deputet, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi tregoi se pas përfundimit të periudhës së aplikimit për certifikim, KQZ ka përcjellur në disa institucione listat e kandidatëve për deputetë me qëllim të verifikimit nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Në mesin e këtyre institucioneve prej të cilave KQZ ka kërkuar verifikim është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër tjerash parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili ‘është dënuar në tri [3] vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv’, andaj kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë verifikimin në raport me këtë kufizim ligjor. Përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është se asnjëri nga 1 mijë e 280 kandidatët e 28 subjekteve politike nuk bie ndesh me këtë pjesë të ligjit”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, gjatë periudhës për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280.

Deri më tani, KQZ-ja ka certifikuar 11 subjekte politike me 606 kandidatë për deputetë, ndërsa janë në pritje edhe 17 subjekte politike me 674 kandidatë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Deri më tani, KQZ ka marrë vendime të veçanta për certifikimin grupit të pare prej 11 subjekteve politike me gjithsej 606 kandidatë për deputetë. Për pjesën e mbetur të subjekteve politike dhe kandidatëve, janë duke u shqyrtuar të gjitha aplikimet edhe në raport me aspektet tjera të ligjit dhe shumë shpejt do të përgatiten rekomandimet, të cilat do të prezantohen në mbledhjen e KQZ-së”, tha Elezi.