Haradinaj sheh plot dështime në buxhetin e qeverisë: E stagnon ekonominë e Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në seancën e sotme në të cilën është duke u diskutuar për buxetin e shtetit për vitin 2024, tha se projekt-buxheti i prezantuar nga qeveria e Kosovës, është stagnues si në aspektin e zhvillimit ekonomik, ashtu edhe në aspektin social dhe të standardit jetësor. Haradinaj…

Lajme

16/11/2023 13:04

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në seancën e sotme në të cilën është duke u diskutuar për buxetin e shtetit për vitin 2024, tha se projekt-buxheti i prezantuar nga qeveria e Kosovës, është stagnues si në aspektin e zhvillimit ekonomik, ashtu edhe në aspektin social dhe të standardit jetësor.

Haradinaj tha se rritja prej 102 milionë euro, nuk garanton prosperitet e as zvogëlim të varfërisë.

“Rritja nominale prej vetëm 102 milion Euro praktikisht është zvogëlim real i buxhetit kur marrim parasysh shkallën e inflacionit këtë vit dhe vitin që vjen. Kjo është rritja më e vogël e një buxheti qe nga çlirimi i vendit deri më sot. 102 milionë Euro shtesë për vitin që vjen nuk garantojnë as prosperitet ekonomik, as zvogëlim të varfërisë të dhjeta mijëra familjeve skamnore, as përmirësim të gjendjes materiale të të gjitha kategorive të pensionistëve”, tha Haradinaj.

Haradinaj shtoi se rritja e vlerës së koeficientit të pagave nga 105 në 110 Euro nuk është rritje e as harmonizim por zvogëlim real i pagave.

“Rritja e vlerës së koeficientit të pagave nga 105 në 110 Euro nuk është rritje e as harmonizim por zvogëlim real i pagave. Indeksi i çmimeve të konsumit 5,1% në këtë vit dhe 2,7% i paraparë në vitin 2024 e argumenton konstatimin tonë. Shqetësuese në veçaneti është nënçmimi që iu bëhet disa kategorive si policia e Kosovës, shëndetësia, drejtësia e të tjerë të dëmtuar nga Qeveria nga mohimi i pagesës së shtesave për rrezikshmëri dhe punë shtesë të garantuara me ligjin në fuqi”, shtoi Haradinaj.

Sipas tij, mbi 80% e projekteve kapitale të listuara në dokumentin që po e shqyrtojmë sot janë projekte të pa realizuara në tri vitet e fundit e të bartura për vitin 2024.

“Investimet kapitale të shtuara për vetëm 48 milionë Euro nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik, praktikisht janë stagnim kur marrim parasyshë se 90% e projekteve të parapara për realizim në vitin 2023 nuk janë realizuar por barten në vitin Buxhetor 2024. Mbi 80% e projekteve kapitale të listuara në dokumentin që po e shqyrtojmë sot janë projekte të pa realizuara në tri vitet e fundit e të bartura për vitin 2024. Dështimet në realizimin e projekteve kapitale në vitin 2021 në shumë prej 200 milionë Euro, pastaj dështimet në vitin 2022 në rreth 300 milionë euro dhe sipas ecurive të paraqitura në raportin e thesarit për nëntë muajt e këtijë viti që gjithsejt bëjnë mbi 800 milionë Euro praktikisht paraqesin humbjen e plotë të buxhetit paraparë për vitin 2024 për investime kapitale”, u shpreh ai.