“Përshkallëzimi i situatës në veri në konflikt të armatosur”, nga BE flasin për deklaratën e Kurtit dhe takimin e 18 gushtit
Dy ditët e para të gushtit nisën me tensione të shumta në veri të Kosovës. Veriu, që ndër vite njihet si pjesa më e ndjeshme e territorit të Kosovës u bë temë kryesore e diskutimeve në nivel vendi dhe më gjerë. Alarmet që u aktivizuan në qendër të veriut të Mitrovicës, nënkuptuan grumbullimin e serbëve…

Lajme
Dy ditët e para të gushtit nisën me tensione të shumta në veri të Kosovës.
Veriu, që ndër vite njihet si pjesa më e ndjeshme e territorit të Kosovës u bë temë kryesore e diskutimeve në nivel vendi dhe më gjerë.
Alarmet që u aktivizuan në qendër të veriut të Mitrovicës, nënkuptuan grumbullimin e serbëve në mënyrë që të kundërshtohej vendosja e reciprocitetit nga Kosova në drejtim të Serbisë, e që lidhej pikërisht me targat e automjeteve, si dhe dokumentet.
Përpos grumbullimit të një numri të madh të serbëve, në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak u pamundësua qarkullimi për shkak të vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë.
Të njëjtit vendosën kamionë të shumtë, që të pamundësonin kalimin e shumë qytetarëve në këtë anë, përfshirë këtu edhe mërgimtarë të pritën për orë të tëra që të kalonin këto pika kufitare.
Duke mos përfunduar me kaq, në veri pati edhe të shtëna me armë zjarri. Këto të shtëna me armë zjarri ishin drejtuar pikërisht ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës.
Zyrtarë të shumtë policorë nga njësitë e specializuara të Kosovës ishin vendosur në veri të vendit, përkrah edhe KFOR-it.
Ngritja e tensioneve në veri bëri që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato të QUINT-it të kërkonin hapur nga Qeveria e Kosovës që të shtynte datën e nisjes së reciprocitetit pas 30 ditëve, saktësisht më 1 shtator.
Qeveria e Kosovës vendosi që të shtyjë këtë afat, derisa u theksua se reciprociteti do të vendoset në këtë datë.
E pas gjithë kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se situata në veri mund të përshkallëzohej në konflikt të armatosur.
Kryeministri ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.
Lidhur me këto deklarime, lajmi.net ka kontaktuar Bashkimin Evropian, nga ku u theksua se nuk komentojnë këto “spekulime”.
“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë spekulime të tilla në media dhe nuk paraprijmë takimet që organizohen me spekulime për një rezultat të mundshëm”,deklaroi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Kurse sa i përket takimit të ardhshëm në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nga BE-ja kanë deklaruar se përpos konfirmimit të datës 18 gusht, detajet lidhur me këtë takim si dhe agjendën e takimit informata do të bëhen të dita sa më afër datës së takimit.
“Lidhur me takimin e nivelit të lartë të Dialogut me Presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në Bruksel më 18 gusht, do të publikojmë më shumë detaje rreth tij, përfshirë agjendën, më afër datës kur do të zhvillohet”,tha ai.
Nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë detaje lidhur me publikimet në media se në takimin e radhës në mes Kurtit dhe Vuçiq do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët.
Sipas raportimeve nga mediat serbe, në këtë takim dy palësh do të nënshkruhet një deklaratë e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Madje u tha se teksti i deklaratës është harmonizuar dhe është duke u pritur momenti që ajo të nënshkruhet.
E pak ditë pas vendimit për shtyrje të vendimit për reciprocitetit, në veri të vendit pati sërish të shtëna në drejtim të zyrtarëve policorë të Kosovës, të cilëve iu rrezikua jetë përgjatë detyrës.
Lidhur me këto zhvillime në veri, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe nga vendet e Bashkimit Evropian është bërë thirrje që pala kosovare dhe ajo serbe të zgjidhin të gjitha çështjet përmes dialogut.
Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vazhdon të jetë i bindur se reciprociteti do të vendoset më 1 shtator derisa theksoi se ka patur promovim të lajmeve të rreme nga serbët lidhur me atë se dokumentet serbe do të konfiskohen, gjë që theksoi se është e pavërtetë.
Ai tha se fushata e rreme që po bëhet me informacione aspak të sakta, ka ndikuar edhe në ngritjen e tensioneve nga vendimi i kaluar.
Kurti bëri thirrje në drejtim të serbëve që të bëjnë ndërrimin e tabelave, pasi sic tha ai kjo është në të mirën e të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe ata nga komuniteti serb./Lajmi.net/