Cordoba beson në ëndërr të Interit për treshen Lautaro – Dybala – Lukaku

Ish-mbrojtësi i Interit, Ivan Cordoba, beson se një treshe me Lautaro Martinez, Paulo Dybala dhe Romelu Lukaku do të ishte mirë për klubin.

Sport

25/06/2022 20:13

‘Nerazzurrët’ janë duke punuar për të përforcuar skuadrën e Simone Inzaghit këtë verë, pas dështimit të tyre për pak në garën për titull në sezonin që lamë pas.

Gjërat janë finalizuar për sulmuesin belg dhe puna është ende në vazhdim për të siguruar nënshkrimin e sulmuesit argjentinas, që do të thotë se treshja e ëndrrave është një mundësi e vërtetë tani.

Duke folur për ‘Corriere dello Sport’, Cordoba komentoi nëse treshja Lautaro, Dybala dhe Lukaku do të kishte kuptim dhe do të bënte mirë.

“Jam i habitur që ka njerëz që besojnë se nuk mund të luajnë së bashku, është e paimagjinueshme për mua, skuadrat e mëdha fitojnë me lojtarë të mëdhenj, ata mund të luajnë gjithmonë bashkë.

Le të mendojmë për skuadrat e mëdha në histori, ata kanë fituar me shumë lojtarë të mëdhenj”, tha kolumbiani, përcjell lajmi.net.

Mbetet të shihet nëse sulmi do të përbehet nga Martinez, Dybala dhe Lukaku sezonin e ardhshëm për Interin./Lajmi.net/