Kurti: Duket se Serbia planifikoi edhe vrasjen e Dick Martyt që të na fajësojë shqiptarëve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me pohimet e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, se është kërcënuar nga qarqe të inteligjencës serbe dhe se për këtë arsye ai po lëviz nën përcjellje të fortë policore.

Lajme

12/04/2022 09:45

Me këtë rast, Kurti deklaroi se kësaj radhe ai nuk është autor por protagoniste, por mund të thotë se shteti i Kosovës e ka ditur gjithmonë se kush është Serbia.

“Mirëpo unë shpresoj dhe uroj që QUINT- në Beograd, BE-ja në përgjithësi ta ngrisin këtë çështje me presidentin atje dhe me të gjitha organet shtetërore sepse është akuzë e jashtëzakonshme çfarëdo përmasave individuale.Përfshin një shtet të tërë.Shërbimi Sekret i Serbisë gjatë viteve të ‘70, ‘80 dhe jo vetëm të ‘90 ka vrarë shumë patriotë shqiptarë. Andaj në këtë mënyrë të punës së mbrapsht e kanë të ushtruar ndër dekada.”, tha Kurti, transmeton lajmi.net.

Kurti theksoi se mënyra se si ka vepruar Shërbimi Sekret serb edhe ndaj shqiptarëve dhe kroatëve njihet tashmë e duket se atë mënyrë e paskan planifikuar edhe ndaj Dick Martyt që të na fajësojnë neve.

“E dimë mirë se të gjithë janë të informuar për rastin Panda në Pejë ku u vranë të rinjtë që të fajësoheshin shqiptarët. Kjo është e njohur nga Shërbimi Sekret serb sidomos nga shqiptarët që e kanë përjetuar këtë si përvojë të hidhur. Por besoj se është koha e fundit që QUINT në Beograd dhe BE-ja ta ngrisin këtë çështje me strukturat më të larta në Serbi.Ne përmes ministrisë të Brendshme dhe jo vetëm do të bashkëpunojmë me shtetin zviceran për të mësuar më shumë për këtë rast, por gjithashtu jemi të interesuar që kjo të zbardhet deri në fund.Sepse nuk mjafton të bëhet denoncimi dhe të shpjegohet se në 16 muajt e fundit, senatori Marty paska patur një mbrojtje super speciale për shkak të një rreziku të panjohur deri më tani për neve.”, shtoi Kurti.

Kryeministri theksoi se nuk mjafton kjo, sepse duhet sqaruar shkaqet, rrethanat dhe informacioni tjetër sepse qartazi s’ka të bëjë vetëm me Dick Martyn, por me të gjithë shqiptarët./Lajmi.net/