Szunyog për vizat: BE-ja e ka bërë punën e vet, Qeveria t’i kryej detyrat e shtëpisë

“Liberalizimi i vizave është e vështirë ta kuptoj pse nuk është bërë deri më tani, por nuk është çështje e BE-së, sepse ne e kemi bërë punë tonë”.

Lajme

07/04/2022 11:47

Kështu u shpreh Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomash Szunyog, gjatë një konference të mbajtur të enjten nga Këshilli i Investitorëve Evropianë në 6-vjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Mes tjerash, Szunyog tha se tani i takon Qeverisë së Kosovës që t’i kryejë “detyrat e shtëpisë”.

“Do të doja të shihja që Qeveria tu ofrohet shteteve anëtare. Do të doja të shihja edhe Qeverinë të bëjë detyrat e shtëpisë dhe të punojë me shtet anëtare”, deklaroi ai.

Ndryshe, janë mbi 10 vjet që Kosova dialogon për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, por qytetarët e saj ende mbesin të vetmit nga rajoni që nuk e gëzojnë mundësinë e udhëtimit në vendet e Schengenit pa viza.

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja, por disa vende anëtare të unionit jenë skeptike dhe se presin më shumë dëshmi nga autoritetet e Kosovës se në rast të liberalizimit të vizave nuk do të ketë keqpërdorim të tyre./Lajmi.net/