Nuk e ndihmuan kur kërkoi ndihmë nga shteti, Prokuroria e Pejës tani thonë se nisin hetimet pas letrës së Arlinda Zekajt

Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur trajtimin e një parashtrese të dorëzuar nga tani e ndjera A.Z., e cila kishte kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, për shkak të pretendimeve për dështime në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. Sipas njoftimit të Prokurorisë, parashtresa është pranuar më 22…

Lajme

26/10/2026 08:36

Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur trajtimin e një parashtrese të dorëzuar nga tani e ndjera A.Z., e cila kishte kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, për shkak të pretendimeve për dështime në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, parashtresa është pranuar më 22 tetor 2026 nga kryeprokurorja e kësaj prokurorie, e cila ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent.

Qëllimi është vlerësimi i pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkohë, parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent edhe institucioneve përkatëse, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale.

Këtyre institucioneve u është kërkuar shqyrtimi i pretendimeve dhe verifikimi i lëshimeve të mundshme apo veprimeve të zyrtarëve përkatës, brenda përgjegjësive të tyre institucionale.

Sa i përket kërkesës së A.Z. për ekzekutimin e vendimit gjyqësor që lidhej me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka bërë të ditur se vendimi është ekzekutuar me ndërmjetësimin e prokurores kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se të gjitha rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet e paraqitura nga e ndjera dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse, do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore.

Në fund të njoftimit, Prokuroria ka shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerës.