Vetëm një ndryshim i qëndrimeve më shumë: Çfarë thoshte dhe çfarë thotë Kurti për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë?

Të tjera qëndrime sa ishte në opozitë e të tjera tash kur mban postin e kreut të qeverisë.

Lajme

19/03/2022 17:12

Për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, Albin Kurti, si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje bindshëm thoshte se “është cenim i integritetit dhe sovranitetit shtetëror”.

“Serbët e Kosovës me 21 qershor nuk do të votojnë si votues jashtë vendit me shtetësi të dyfishtë duke votuar përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, por si shtetas brenda Serbisë dhe në qendra të votimit të hapura nga autoritet serbe nëpër komunat e Republikës së Kosovës”.

“Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime është strukur përballë ndërhyrjeve të Serbisë. Me lejimin e këtyre zgjedhjeve, po përligjen dhe legjitimohen pretendimet e Serbisë”, thuhej në një komunikatë për media nga Lëvizja Vetëvendosje.

Komunikata ishte bërë një ditë para zgjedhjeve parlamentare serbe të 21 qershorit 2020, të cilat u mbajtën edhe në Kosovë, kur vendi udhëhiqej nga kryeministri i asaj kohe, Avdullah Hoti.

Por, tani si kryeministër, Kurti është “zbutur” dhe ka ndryshuar qëndrimet. Tash shefi i ekzekutivit thotë se s’duan që të pengojnë apo pamundësojnë të drejtën e qytetarëve të Kosovës me shtetësi të Serbisë që të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

“Kemi diskutuar edhe për raportin me Serbinë dhe nuk kemi diskutuar veçanërisht për çështjen e zgjedhjeve të 3 prillit që i organizon Serbia. Ne dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe Rezoluta e 15 janarit të këtij viti. Ndërkaq nuk duam që t’ia pengojmë, t’ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës”, u shpreh kreu i ekzekutivit të premten.

Këtë deklaratë Kurti e bëri në një konferencë për media, pasi zhvilloi takim me kancelarin austriak, Karl Nehammer.

Për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit në Kosovë, kryeministri bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me Brukselin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe vendet e QUINT-it.

Ndërkohë, javën e kaluar, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë bërë thirrje që të mundësohet ushtrimi i së drejtës së votës në Kosovë.

Ata kanë kërkuar që të gjenden modalitete të cilat janë të pranueshme për të dyja palët, ndërsa “BE-ja dhe SHBA-ja do të ndihmojnë”.

Zgjedhjet e fundit parlamentare serbe në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor, 2020.

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës janë mbajtur edhe në vitin 2012, 2014, 2016. /Lajmi.net/